Olympiacosi e Kasami, festojnë titullin

Sezonit të futbollit europian po i vjen fundi. Një ditë pas zyrtarizimit të skuadrës kampione në Holandë, verdikti matematikor vjen edhe nga Greqia ku Olympiacos u shpall kampion për të 42-ën herë në historinë e futbollit helen. Humbja e rivalëve të Panathinaikos në fushën e Panthrakikos ndezi festën në Pire ku bardhekuqtë edhe pse me titullin në xhep, bënë detyrën duke fituar 4-0 ndaj Levadiakos.

Pas startit të vështirë në fillim të sezonit, drejtuesit e klubit larguan trajnerin spanjoll, Michel Gonzalez duke emëruar Vítor Pereiran, i cili siguroi titullin e pestë rresht për bardhekuqtë. Gjatë këtij sezoni, Kostas Mitroglou shënoi 13 gola, ndërsa rrugëtimi i skuadrës greke në Champions League u ndërpre gjatë fazës së grupeve.

Pjesë e Olympiacos është edhe shqiptari Pajtim Kasami.

Gjithsesi, ky sezon nuk është mbyllur ende për Olympiacosin që ka objektiv edhe Kupën e Greqisë. Në gjysmëfinalen e 28 Prillit, skuadra nga Pireu sfidon modestët e Apollon Smyrni dhe nëse arrin të kualifikohet do të gjejë në finale njërën prej fitueses së çiftit Skoda-Iraklis.