Olti Sveqla, këtë emër do ta dëgjoni shumë në të ardhmen (FOTO/VIDEO)

Padyshim se Flamurtari i Prishtinës mund të konsiderohet se edhe si çerdhe e talenteve për futbollin e Kosovës dhe më gjerë, raporton Gazetaolle.com.

Ndër vite, skuadra ‘kuq e zi’ ka nxjerrë futbollistë shumë të talentuar të cilët kanë bërë karrierë me shumë suksese edhe jashtë Kosovës.

Te ky klub po rritet edhe një talent i rrallë futbolli. Është ky Olti Sveqla i cili po mahnit me paraqitjet e tij në kategoritë e reja të kësaj skuadre.

Ai është vetëm 14-vjeçar, por që me lojën e treguar, lë përshtypjen sa ka shumë vite karrierë.

Në gjashtë ndeshjet e sezonës vjeshtore, ai ka realizuar 11 gola në fanellën ‘kuq e zi’ derisa ka kontribuar edhe me katër asistime. “Që nga mosha 10-vjeçare luajë futbolli te Flamurtari nën urdhrat e trajnerit të mirënjohur Agim Hoxha. Aktivizohem si sulmues qendror”, nis bisedën për Gazetaolle.com futbollisti nga Prishtina teksa shpalos edhe synimet që ka në karrierën e gjatë e cila e pret përpara. “Synimi kryesor është që të shënojë sa më shumë gola dhe një ditë pse jo, të arrijë të luajë edhe në ekipin e Milanit”, potencoi Olti Sveqla duke zbuluar edhe futbollistët e tij të preferuar. “Loja e fenomenit Ronaldo gjithnjë më ka mahnitur, por edhe ajo e Zlatan Ibrahimoviqit”, pohoi Olti duke zbuluar edhe një rast interesant që i ka ndodhur në këtë vit. “Në një ndeshje ndaj Internacionalit në Podujevë, shënova katër gola dhe në një moment, morra topin prej këmbëve të bashkëlojtarit tim, u nisa drejt portës dhe shënova. Shokët pas ndeshjes më ngacmuan”, kujton Olti Sveqla i cili për fund nuk harron që t’i falënderojë edhe njerëzit që e ndihmuan në karrierë. “Dua që t’i falënderojë trajnerët Agim Hoxhën, Skënder Konjuhin dhe Artan Bytyqin si dhe babain tim Gëzimin për motivimin dhe përkushtimin që ka treguar ndaj meje”, përfundoi Olti Sveqla.

Ky i fundit është shembull edhe për moshatarët e tij. Krahas sukseseve në futboll, ai është edhe nxënës i shkëlqyer teksa është kryetar i Shkollës Fillore ‘Pjetër Bogdani’ në Prishtinë. /Gazetaolle.com

    

loading...