“Olle” formacioni i javës së 19 në Superligë

Fundjava shënoi hapjen e stinorit pranveror, ku disa prej futbollistëve ishin vendimtarë në fitoret e skuadrave të tyre. Redaksia e Gazetës Olle, ka zgjedhur formacionin më të mirë të xhiros së 19-të.

Portier – Leutrim Rexhepi. Gardiani i Ferizajt bëri një paraqitje pozitive ndaj Prishtinës. Vendimtar fluturimi i tij i jashtëzakonshëm, për të ndalur goditjen e Khalid.

Mbrojtja – Në të majtë Ilir Blakçori i Gjilanit që shkëlqeu në derbi ndaj Dritës, ndërsa në të djathtë Përparim Islami i cili zhbllokoi shifrat në ndeshjen e 89-shit ndaj Drenicës. Në mes Fisnik Papuçi i Besës, i cili bëri paraqitje solide ndaj Llapit, në defansivë e në ofansivë.

Mesfusha – Më shumë fantazi e shpejtësi, se balancë. Në krahë vijnë Fiton Hajdari i Trepçës ’89 që realizoi dy-golësh ndaj Drenicës dhe Xhevdet Shabani që ishte vendimtar në triumfin e Besës ndaj Llapit. Në qendër, golashënuesi i Gjilanit në derbi, Betim Haxhimusa, ndërsa më i tërhequr Behar Bardhi i Ferizajt.

Sulmi – Konkurrenca ishte e madhe për këtë repart, pasi që pothuajse në secilën ndeshje sulmuesit kanë bërë diferencën. Në të djathtë vendoset Përparim Livoreka që realizoi në minutën e 96-të në derbi, në mes Mendurim Hoti i cili realizoi dy gola ndaj Trepçës, ndërsa në të majtë het-triku i Lirisë ndaj Hajvalisë, Liridon Fetahaj.

Trajner – Gani Sejdiu. Besa pa objektiva në kampionat, mundi Llapin që synon titullin kampion. Skuadra e kuqe e mitrovicasit e nisi për mrekulli pranverën.

1