Nwabueze shënoi në debutim me Laçin, trajneri i Hapoelit ka diçka për ish-in e Dritës

Trajneri i Hapoel Ber Shevës, Barak Bakhar ka folur në përfundim të takimit ndaj Laçit për “sportekspres.com”. Tekniku izraelit u shpreh i kënaqur më barazimin 1 – 1, ndërsa nuk i kurseu fjalët e mira për disa nga lojtarët e skuadrës shqiptare.

A jeni i kënaqur me lojën dhe rezultatin ?

“Pak a shumë. Jam i gëzuar që arritëm të shënonim golin, pasi e meritonim  me gjithë ato raste që krijuam. Kishim përballë një skuadër shumë të fortë, sidomos në kundërsulm dhe goditje standarde. Ata na shënuan që në fillim të lojës, kjo na e bëri shumë të vështirë, por është një rezultat i mirë. Tani duhet mbyllim llogaritë në ndeshjen në shtëpi”.

“Nuk e prisja të pësonim gol pas vetëm dy minutash, por ky është futbolli, mund të shënosh e të pësosh. E dimë që kishim përballë një skuadër shumë agresive”.

A ka Laçi lojtarë interesant për skuadrën tuaj?

“Unë kam një skuadër me shumë lojtarë cilësorë. Megjithatë, sigurisht që ata kanë një skuadër shumë të mirë, sidomos sulmuesi, Xhixha më duket se quhet. Gjithashtu lojtari me numrin 9 (Nuabueze) ishte shumë i rrezikshëm, ose numri 7 (Berisha) që u fut si zëvendësues. Talente shumë të mirë, besoj se në të ardhmen mund të jenë pjesë e një klubi të madh”.

Sa të favorizuar ndiheni për ndeshjen e kthimit?

“Tani rezultati është në favorin tonë. Laçit i duhet të shënojë, por kur ne luajmë në shtëpi synojmë të fitojmë çdo ndeshje”.