Nuza: Më gëzon qasja e FFK-së, jemi gati qysh sot!

Futbolli i Kosovës pritet të kthehet në fillim të qershorit në aksion pas një pauze më shumë sesa 2 muaj, shkruan Zeri.info.

Futbollistët janë mundur në kushte shtëpie të punojnë gjatë kësaj periudhe, ndërsa nga dita e hënë atyre i është dhënë leja nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës që të punojnë në grup.

Ata po shpresojnë se me këto tri javë stërvitje të arrijnë të përgatiten mjaftueshëm për ta nisur kampionatin.

Mirëpo, një kategori që duket në një situatë të keqe janë gjyqtarët. “Këmishëzinjtë” do t’i bëjnë gati 3 muaj pa i rënë pipit në fushat e futbollit, dhe duke pasur parasysh se rregullorja nuk u lejon klubeve ndeshje miqësore para datës 2 qershor, i bie që gjyqtarët do të futen direkt në ndeshje pa e bërë asnjë gjykim kontrollues.

(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)

Megjithatë, për gjyqtarin numër një në Kosovë, Genz Nuza pavarësisht telasheve ata janë gati dhe ndihen mirë fizikisht.

“Sinqerisht me gëzon shumë fakti për qasjen e FFK-së në raport me rifillimin e kampionatit, kështu që nisjes së garave duhet t’i gëzohemi dhe ta japim të gjithë kontributin tonë për të përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Do të ishte katastrofë të mos zhvillojmë aktivitet për 6 muaj dhe përsëri nuk do të ishim të sigurt a do të ketë virus mbas 6 muajve apo jo”, ka thënë Nuza për Zeri.info duke folur më pas për gjyqtarët dhe gjendjen e tyre.

“Ne gjyqtarët e kemi më të lehtë këtë aspekt sepse, edhe gjatë kampionatit shumicën e stërvitjeve i zhvillojmë në mënyrë individuale. Unë personalisht për asnjë moment nuk i kam ndalur përgatitjet dhe në kontakt edhe me kolegët tjerë të gjithë kanë stërvitur rregullisht dhe jemi gati në aspektin fizik të fillojmë qysh sot. Gjithsesi, duke e parë që kemi edhe disa ditë deri në fillim të garave besoj se do të jemi të gatshëm për rifillimin e kampionatit”, ka përfunduar Genc Nuza.

(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)