Nuk e lejuan Donjeta Sadikun të garojë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e dënon rëndë Indinë

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka pezulluar të gjitha aplikimet indiane për të organizuar ngjarje të ardhshme dhe bëri thirrje për izolim ndërkombëtar të sportit në këtë vend, pasi iu mohuan vizat kosovares Donjeta Sadiku më herët dhe së fundmi edhe dy sportistëve tjerë pakistanez.

IOC tha se veprimi i Indisë shkonte kundër parimeve të Kartës Olimpike në lidhje me diskriminimin dhe ndërhyrjen politike të vendit pritës.

“Si rezultat, Bordi Ekzekutiv i IOC vendosi gjithashtu të pezullojë të gjitha diskutimet me Komitetin Kombëtar të Kombit Olimpik dhe qeverinë lidhur me aplikimet potenciale për mbajtjen e sporteve të ardhshme dhe ngjarjeve të lidhura me Olimpiadën në Indi,” thotë ndër të tjera deklarata e IOC.

Në dy vjetët e fundit, India nuk e ka lejuar boksieren Donjeta Sadiku të futet në territorin e saj për të marrë pjesë fillimisht në Kampionatin Botëror për të reja, e më pas edhe në Botërorin për seniore.

Kjo kishte bërë që India të paralajmërohej se mund ta humbë të drejtën e organizimin e kompeticioneve të mëdha ndërkombëtare sportive.

Dhe, e njëjta gjë u përsërit edhe me dy garues të qitjes nga Pakistani së fundmi, të cilët nuk u lejuan të futeshin në New Delhi dhe kështu IOC vendosi t’ia ndalojë për të ardhmen Indisë organizimin e eventeve të rëndësishme sportive.