Nuk arrijnë akordin mes vete, FFM dhe klubet presin shtetin që të vendos

Sot në ambient të hapur në kompleksin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut u zhvillua takim ndërmjet drejtuesve të FFM-së dhe drejtuesve të klubeve që garojnë në Ligën e Parë.

Me simbolikën e masave për distancë sociale si një prej mënyrave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 takimi u mbajt në hapsira të hapura, ndërsa temë e diskutimit ishte rinisja e futbollit elitar, i ndalur nga mesi i muajit mars si rezultat i pandemisë me koronavirus.

Në mungesë të një qëndrimi nga Ministria e Shëndetësisë, drejtuesit e federatës dhe klubet folën vetëm për idetë dhe mënyrat më të mira të mundshme për dalje nga kjo situatë tejet e ndërlikuar.

Në kushte kur kompletimi i sezonit duket mision i pamundur, si opsione për të mbyllur këtë kampanjë shihet zhvillimi i katër xhirove për të mbyllur me tre rrethe sezoni 2019/20.

Klubet ishin të ndara në lidhje me këtë propozim dhe mbetet që fillimisht të priten rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë për rifilim të seancave stërvitore në mënyrë grupore të ekipeve që më pas në bashkëpunim edhe me UEFA-në të sillet vendimi përfundimtar për mënyrën e mbylljes së kësaj kampanje.