Njomakët nga Rahoveci po shkëlqejnë në Norvegji

Grupmoshat e Shkollës së Futbollit ” Rahover ” nga Rahoveci, edhe në ditën e dytë të turneut masovik me mbi 2500 skuadra pjesëmarrëse ” Norway Cup 2015″, kanë shënuar fitore minimale me rezultat 1:0 ndaj skuadrës Geilo nga Norvegjia, por fitore shumë të vlefshme për të vazhduar garat e mëtejme.

Loja ishte e hapur me pasime të shkurtëra të të dyja skuadrave, por edhe me mbrojtjet të kujdesshme dhe stabile, ndërkaq rastin e parë për shënim e krijojnë rahovecasit, kur Amar Haxhijaha gjuan nga distanca në minutën 9, por portieri i skuadrës kundërshtare mbron me mund të madh. Vazhdimi i lojës zhvillohet në mesin e dy zonave të rreptësisë, por në minutën 17, lojtarët e Geilo krijojnë rastin, kur një gjuajtje e fortë nga 20 metra, në mënyrë atraktive e mbron portieri i rahovecasve, Kenan Morina.

Në pjesën e dytë, loja ka qenë e baraspeshuar, ku mbrojtja ka qenë reparti më i mirë i të dyja palëve, norvegjezët sulmonin dhjetë minuta të para, por para portierit Morina, barikadë e pakapërcyeshme ishin mbrojtësit Besfort Merxha, Auron Dula, Altin Alirifa dhe mesfushorët Besfort Sokoli, Amar Haxhijaha dhe Visar Sokoli, të cilit me përpikëri zbatonin urdhërat dhe taktikën e trajnerëve Burim Dula dhe Myrtezan Dula.
Me golin e shënuar në minutën 45, lojën e ka vendosur qendërsulmuesi Haxhi Sada, të cilin e shërben me diagonale të shkurtër Besfort Sokoli, pranë dy mbrojtësve norvegjez hyn në zonë dhe nga 15 metra gjuan saktë duke qëlluar këndin e majtë të epërm të portës kundërshtare, 1:0.
Ndeshjen e tretë në grup, grupmoshat e Rahoverit e zhvillojnë të marten në ora 11 : 00, ndërkaq kundërshtar i tyre është skuadra norvegjeze Gjekstad Osteroja.
Nuk ka dyshim se djelmoshat e Rahovecit, në mënyrë dinjitoze e përfaqësojnë qytetin e tyre, por edhe shtetin e Kosovës, siç u pa në hapjen e turneut duke valvitur flamurin të klubit, shtetëror dhe atë kombëtar. /Shaip Shala/