Njoftim me shkrepje të bisedës në “WhatsApp”: Koha që Ballkani të bëhet lider edhe jashtë fushës!

Ballkani është skuadra e momentit në elitën e futbollit kosovar.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi po shkëlqen me lojëra e rezultate fantastike, me të cilat me plot meritë zë vendin e parë në renditjen e Superligës, përcjellë Gazeta Olle.

Klubi i presidentit Arsim Kabashi po mahnitë edhe me rezultatet në kategorinë juniore, ku Ballkani po ashtu është në vendin e parë.

Megjithatë në disa aspekte tjera, më saktësisht jashtë fushës, klubi nga Suhareka duhet të përmirësohet dukshëm, sepse atë ia kërkon thjeshtë pesha e rezultateve të jashtëzakonshme që po i arrinë.

Për shembull, njoftimi i djeshëm i publikuar në faqen zyrtare për marrëveshjen e talentit të skuadrës, Blendi Baftiu me menaxherin Haris Fakic, ishte në limitet e amatorizmit.

Fotoja që iu është bashkangjitur njoftimit është një shkrepje e bisedës në aplikacionin “WhatsApp”, ku shihen detaje totalisht të panevojshme.

Ajo është shkrepur nga telefoni i presidentit Kabashi, pasi shihet se si i drejtohet atij Fakiç.

Faqja zyrtare e Ballkanit në Facebook është njëra ndër më aktivet, si për nga informacionet e po ashtu edhe nga fotografitë fantastike të ndeshjeve.

Megjithatë, ky ishte një lëshim që thjeshtë nuk guxon t’i ndodhë një skuadre elitare, e lëre më një lideri.

Gjithsesi, arma kryesore e Ballkanit mbetet fusha, ku po “shkelë” gjithçka me armatën e drejtuar nga Munishi.

“Portokallezinjtë” janë befasia më e këndshme e këtij stinori dhe janë favoritë për t’u shpallur edhe kampionë vjeshtor. /Gazeta Olle/