Njeriu i shtyllave komenton shtyllat, lavdërohet nga Challandes

Ani pse nuk e bëri në ndeshjen e kaluara, selektori, Bernard Challandes vendosi që t’i besojë sonte nga minuta e parë Edon Zhegrovës.

Zhegrova bëri një paraqitje të mirë sonte, teksa goditi edhe disa herë shtyllën e Maltës, në fitoren, 3-1 të Kosovës.

Ndërsa, pas ndeshjes, anëtari i Genkut nuk pranoi të flasë për karrierën e tij te klubi belg, por vetëm për Kosovën, transmeton IndeksOnline.

“Nuk dua të flas për Genkut sonte, por vetëm për Kosovën’. Jam i lumtur me fitoren dhe shpresoj në suksese të mëtutjeshme. ”Kam qenë i pafat sonte me shtyllat, por jam i lumtur me paraqitjen e skuadrës. Ndeshja me Ishujt Faroe? Normalisht se do t’i sulmojmë dhe shpresoj të fitojmë”, u shpreh Zhegrova.

Pas ndeshjes, Zhegrova mori edhe lëvdatat e trajnerit, Challandes, i cili tha se i riu kosovar ka talent.

”Zhegrova ka luajtur mirë. Ai është i ri, por nganjëherë nuk jam i kënaqur me disa lëvizje të tij. Por, është i talentuar, dhe ka aftësi t’i shkaktojë rrezik kundërshtarit”, tha Challandes.