Njeriu i rekordeve

Arjen Robben nuk ndalet së thyeri rekorde. Në fakt në fitoren e fundit 3-1 të Bayernit përballë Hannoverit që i afroi bavarezët akoma edhe më tepër me titullin e 25-të kampion në Gjermani, holandezi nuk realizoi asnjë gol, megjithatë falë suksesit të skuadrës së tij Robben u bë futbollisti që ka arritur në më pak ndeshje se kushdo tjetër kuotën e 100 fitoreve. Robben, i cili është transferuar te Bayerni në verën e vitit 2009, ndaj Hannoverit zhvilloi ndeshjen e tij të 126-të në Bundesligë dhe në këto 126 sfida me holandezin në fushë kampionët e Gjermanisë kanë arritur të koleksionojnë 100 fitore.

31-vjecari tulipan parakaloi në këtë klasfikim special shokun e skuadrës, Thomas Muller dhe ish futbollistin e Bayernit, francezin Willy Sagnol. Si Muller-it ashtu edhe Willy Sagnolit iu nevojitën 148 ndeshje për të arritur kuotën e 100 fitoreve, ndërkohë që Robben u mjaftua me vetëm 126 takime. Me holandezin në fushë edhe Bayerni e ka më të lehtë të arrijë te rezultatet pozitive. Gjatë dy viteve të fundit 31-vjecari ka qenë një nga lojtarët kyc në sukseset e shumta të bavarezëve. Vetëm në këtë sezon Robben ka arritur të realizojë 19 gola në 27 ndeshje me Bayernin në të gjitha kompeticionet duke qënë padiskutim lojtari më efikas në formacionin e Pep Guardiolës.