Një serb i gatshëm të luaj për Kosovën

Ndeshja gjysmëfinale e Kupës ndërmjet Drenicës dhe R&Rukolli-Lubotenit ka ngjallur zhurmë dy ditë para se të fillojë. Shkak është bërë lojtari nga komuniteti serb i R&Rukolli-Lubotenit, Miroslav Karadzic. Tifozët drenicas thonë se nuk do ta lejojnë aktivizimin e serbit nga Lipjani sepse në të kundërtën nuk i garantojnë siguri. “Shqiponjat e zeza” thonë se Karadzic më moti e ka konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë. Por, drejtuesit e Lubotenit thonë se Karadzic ka pasaportë kosovare dhe është i gatshëm të luajë edhe për Kosovën, shkruan sot Gazeta Zëri

Të shtunën në Prishtinë do të zhvillohen dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në volejboll: Peja – Prishtina Voley dhe Drenica – R&Rukolli-Luboteni. Mirëpo, takimi i fundit ka ngjallur zhurmë dy ditë para se të zhvillohet. Shkaktar është bërë një volejbollist i R&Rukolli-Lubotenit, i cili i përket komunitetit serb.

Ai është Miroslav Karadzic, i cili vjen nga Lipjani dhe ka nënshtetësi të Kosovës. Pavarësisht kësaj, tifozët e Drenicës nuk dëshirojnë ta shohin me sy në ndeshjen e skuadrës së tyre, pasi thonë se më moti Karadzic e kishte konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë, duke e mohuar ekzistencën e Republikës së Kosovës.

“Tifozeria drenicase nuk pranon të luajë serbi që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe paralajmëron klubin, lojtarët dhe organet që nuk e lejojmë të vihet përballë djemve tanë, të cilët kanë dhënë gjak, gjymtyrë e djersë për shtetin tonë”, thuhet në reagimin e “Shqiponjave të zeza”.

“Lusim drejtuesit e Lubotenit që të mos na paraqesin në parket këtë mohues të pavarësisë sonë. Ne do të jemi në palestër në përkrahje të djemve të Drenicës, ekipit tonë të zemrës dhe në sallë nuk do të lejojmë të luajë ku person i cili mbjell urrejtje ndëretnike dhe sfidon institucionet tona”, kanë theksuar kuqezinjtë. Në të kundërtën, “Shqiponjat e zeza” nuk garantojnë siguri për volejbollistin serb. “I kërkojmë falje klubit tonë të zemrës, por nëse ky serb shkel në parket ne do të reagojmë. Nuk ka siguri të luajë kundër ekipit tonë kudo në Kosovë, në çfarëdolloj gare të jetë. Ne nuk i ofrojmë siguri aty ku jemi. Ne kërkojmë nga Federata ta marrë për bazë kërkesën tonë, në të kundërtën nuk marrim përgjegjësinë për ndonjë ekses me përmasa të mëdha”, kanë potencuar tifozët nga Drenica.

Në anën tjetër, drejtuesit e R&Rukolli-Lubotenit nuk shohin arsye për të mos e aktivizuar lojtarin e tyre të komunitetit serb. “Veprimi i tij ka qenë para shumë kohësh në një organizim në fakultet dhe krejt kjo i përket të kaluarës. Ne nuk mund të intervenojmë në të kaluarën se çfarë ka bërë. Para se të nënshkruanim kontratë i kemi bërë të qartë se nëse ndodh diçka e ngjashme do ta përjashtojmë nga klubi. Ai ka kërkuar falje për atë se çfarë ka bërë në të kaluarën”, ka thënë për “Zërin” sekretari i Lubotenit, Shpend Rashiti. Gjithsesi, gazeta ka bërë përpjekje të kontaktojë me lojtarin e urryer nga “Shqiponjat e zeza”, por pa sukses.

serbi1

Karadzic, i gatshëm të luajë edhe për Kosovën

Sekretari i R&Rukolli-Lubotenit, Shpend Rashiti, thotë se tifozët drenicas duhet të tregohen tolerantë karshi së kaluarës së volejbollistit serb, i cili sigurisht se është penduar. Madje, ai thotë se Miroslav Karadzic tani e njeh shtetin e Kosovës e madje është i gatshëm ta ndihmojë Përfaqësuesen kosovare edhe në arenën ndërkombëtare.

“Ai do të jetë në ndeshjen e rëndësishme kundër Drenicës dhe nuk ka arsye për frikë fare sepse bëhet fjalë për një lojtar të rëndësishëm në ekipit tonë. Madje, Karadzic do të jetë pjesë e ekipit tonë në një turne që do të mbahet në Kërçovë për nder të 28 Nëntorit, festës sonë kombëtare dhe kjo nuk e pengon aspak”, tha ai. “Ai ka pasaportë të Kosovës, mban simbolet tona shtetërore në fanellën e tij dhe do ta përfaqësojë ekipin edhe në arenën ndërkombëtare. Mbi të gjitha, Karadzic është i gatshëm të luajë edhe për Përfaqësuesen e Kosovës”, u shpreh Rashiti për Gazetën “Zëri”.