Një jetë me futbollin

Debatik Curri e ka ndërmend ta kalojë një jetë me futbollin. Disa ditë pasi u pensionua nga Kombëtarja shqiptare, 31-vjeçari menjëherë u pajis me licencën B të trajnerit. Punën si trajner planifikon ta nisë pak më vonë, pasi dëshiron të luajë edhe disa vjet futboll për ekipe të ndryshme. Nëse i duhet Albert Bunjakut në Përfaqësuesen kosovare është i gatshëm t’i ndihmojë

 Pas pensionimit nga Kombëtarja shqiptare, Debatik Curri, po mendon për periudhën pas përfundimit të karrierës. Futbollisti kosovar të enjten është pajisur me licencën B të trajnerit, të ndarë nga Federata e Futbollit të Kosovës. Mbrojtësi prishtinas momentalisht është i lënduar dhe nuk mund të luajë, prandaj e ka shfrytëzuar këtë periudhë për t’i bërë hapat e parë në zejen e trajnerit.

“Pasi e kisha pushim, për shkak të lëndimit, mendova ta shfrytëzoj këtë periudhë për ta marrë licencën B të trajnerit. Është një eksperiencë shumë e mirë, ndihem mirë që u pajisa me këtë licencë. Por, nuk do të ndalem me kaq. Në të ardhmen synoj të pajisem edhe me licencën A dhe Profi, nëse jo në Kosovë, jashtë vendit”, thotë Curri për “Zërin”.

 S’e ka ndërmend të pensionohet

31-vjeçari nuk e ka ndërmend të pensionohet, të paktën edhe disa vjet, pasi ndihet i fortë ende, edhe pse viteve të fundit s’po e lënë rehat lëndimet. “Mendoj të luaj ende, nuk kam mbaruar me futbollin. Momentalisht jam i lënduar dhe po marr terapi, shpresoj të riaftësohem deri në janar. Kam kontratë me Flamurtarin e Vlorës deri në verë dhe do të vazhdoj në këtë klub. Më pas, të shohim”, u shpreh ish-futbollisti i Vorsklës.

 Me futbollin, sa më gjatë

Curri ka nisur të merret me futboll qyshkur ishte fëmijë. Me këtë sport është lidhur ngushtë dhe nuk e ka ndërmend të shkëputet as pasi ta përfundojë karrierën. Për këtë, ai po mendon ta nisë eksperiencën e re, atë të trajnerit, për t’u “plakur” me sportin e luajtur me këmbë. “Unë jam marrë qysh si fëmijë me futboll dhe synoj të vazhdoj me këtë sport edhe pas karrierës si futbollist. Planifikoj të bëhem trajner, për të vazhduar me futbollin sa më gjatë. Fillimisht mendoj të punoj me fëmijë e më pas edhe me ndonjë skuadër të parë. Pse jo, mund të ndodhë ta udhëheq edhe ndonjë ekip në Kosovë. Por, këto plane janë për më vonë, pasi në mendjen time momentalisht është shërimi dhe rikthimi në fushën e blertë”, nënvizoi ai.

 I gatshëm për Kosovën

Debatik Curri i dha fund eksperiencës me Kombëtaren shqiptare, duke u përshëndetur zyrtarisht në ndeshjen Kosovë – Shqipëri. Mirëpo, kjo nuk nënkupton se ka marrë fund gjithçka në nivelin kombëtar për ish-futbollistin e Prishtinës. Ai është i hapur për Përfaqësuesen e Kosovës nëse përzgjedhësi, Albert Bunjaku, shpreh interesim për të. Curri madje kishte luajtur në ndeshje me Turqinë. “Momentalisht s’jam duke e menduar një përfshirje në Përfaqësuesen e Kosovës, por nëse ata kanë nevojë për mua gjithmonë jam i gatshëm dhe në dispozicion për Kosovën”, përfundoi Curri.

Prishtinasi është njëri prej futbollistëve të parë nga Kosova që iu bashkua Kombëtares shqiptare. Prandaj, në kualifikimin e Kuqezinjve në Evropian një hise e ka edhe ai.

loading...