Nishevci lufton për medalje të bronztë evropiane

Vetëm një luftë për medalje kanë siguruar karateistët kosovarë në ditën e parë të kampionatit evropian, shkruan sot Koha Ditore.

Evropiani i 52-të i karatesë për seniorë nisi të enjten në Kocaeli të Turqisë. Kosovën e përfaqësuan numër i madh karateistësh, por te lufta për medalje arriti vetëm Herolind Nishevci, i treti në botërorin e vitit të kaluar.

Ai të dielën do të garojë për medalje të bronztë në evropian. Nishevci garoi në kategorinë mbi 84 kilogramë, në luftëra. Nisi me një fitore 2:0 ndaj Ahmad Abu Basal të Izraelit, ndërsa më pas e kaloi boshnjakun Haris Sujkoviq.

Në luftën e tretë Nishevci u mposht 7:1 nga italiani Simone Marino. Në repesazh karateisti prishtinas mposhti Filipe Reisin e Portugalisë dhe tani të dielën për bronz do të luftojë me Shahin Atamovin e Azerbajxhanit.