“Nikli” e do të tretin

Feronikeli do ta nisë të shtunën misionin për ta fituar titullin e tretë radhazi. Skuadra nga Drenasi ka dominuar në futbollin kosovar në dy edicionet e fundit, derisa synim i tyre është përsëritja e këtyre sukseseve, në sezonin më të rëndësishëm që nga paslufta, pasi kampioni i Kosovës sezonin e ardhshëm pritet të depërtojë në garat evropiane.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri Afrim Tovërlani, i cili e ka motivuar sa duhet ekipin, me të cilin synon të festojë në fund të edicionit.

Por, për ta arritur këtë, ai është i vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë pasi klubet janë riorganizuar dhe përforcuar, duke e ditur se pas një viti mund ta shohin veten në Champions League ose Europa League.

“Jemi përgatitur sa duhet dhe jemi të gatshëm për fillimin e sezonit të ri. Mendoj se jemi në mesin e skuadrave konkurrente për titull të kampionit. Do të mundohemi të bëjmë lojëra të mira, me shpresën që kjo të na shpërblehet në fund”, theksoi fillimisht Tovërlani për “Zërin”.

“Pa dyshim, pjesëmarrja e kampionit të Kosovës në garat evropiane është një motiv shtesë edhe për ne. Po shihet serioziteti i skuadrave. Këto ditë i kemi pritur qe një kohë të gjatë”, vazhdoi “Toki”, i cili e shpalli kampion Feronikelin edicionin që shkoi, duke dominuar totalisht ndaj skuadrave tjera.

Gjithçka gati

Gjatë verës, “Nikli” ka sjellë disa përforcime, të cilat i ka kërkuar trajneri Tovërlani dhe skuadra tashmë është e kompletuar. Ekipi gjelbërebardh do ta nisë sezonin e ri të shtunën, në derbin e xhiros së parë ndaj Besës, e cila ishte skuadra më aktive në afatin kalimtar të verës.

“Ne jemi përforcuar mjaftueshëm dhe jemi të kompletuar. Jam i kënaqur me fondin e lojtarëve që e kam në dispozicion. Na pret një ndeshje e vështirë me Besën e përforcuar, por secila ndeshje është e vështirë këtë edicion, pasi skuadrat janë përforcuar dhe organizuar mjaft mirë”, përfundoi ish-trajneri i Prishtinës, Hysit dhe Trepçës ’89.

“Nikli” dështoi ta fitonte trofeun e parë sezonal të shtunën që shkoi, kur u mposht nga FC Prishtina në ndeshjen e vlefshme për Superkupën e Kosovës, e cila u zhvilluar në Pejë. Sidoqoftë, Behar Maliqi me shokë e kanë harruar shpejt këtë humbje, duke u fokusuar në kampionat, ku e duan “Tripletën”.

Krahas Feronikelit, skuadrat tjera në luftë për titull që shihen në edicionin e ri janë edhe FC Prishtina dhe Besa, por nuk mbesin prapa as dy skuadrat gjilanase, Gjilani e Drita, që po ashtu u riorganizuan. Sidoqoftë, ky pritet të jetë një kampionat mjaft interesant.