Ngjarjet që e përshkuan basketbollin kosovar në vitin 2016

Viti 2016 ka qenë shumë i ngjeshur, por edhe i frytshëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK). Krahas aktiviteteve në nivel të garave, ku janë zhvilluar ligat e të gjitha kategorive, prej atyre U-12 e deri te seniorët, në të dyja konkurrencat, FBK sivjet ka pasur sfida nga më të ndryshmet, si në nivelin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Janë organizuar kampe të të rinjve në koordinim me FIBA-n, pastaj seminare për trajnerë, gjyqtarë, vëzhgues, po ashtu në bashkëpunim me FIBA-n, ndërsa ka pasur vizita të ndërsjella, si të zyrtarëve të lartë të FIBA-s në Kosovë, ashtu edhe të atyre të FBK-së  në  FIBA,  dhe të gjitha këto për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin  në mënyrë që të arrijmë deri te zhvillimi i kuadrove të basketbollit kosovar në të gjitha lëmitë.

Në 2016, Kosova ka debutuar në kualifikime për Eurobasket 2017, derisa për herë të parë ka marr pjesë edhe në Kampionate Evropiane në Divizione C me Përfaqësueset e femrave.

Po ashtu gjatë këtij viti është punuar shumë me kategoritë e reja nëpër Komuna të ndryshme të Kosovës, ku qëllimi ka qenë identifikimi i basketbollistëve dhe basketbollisteve të së ardhmes.

Në nivel të klubeve në 2016 i kemi pasur 2 skuadra në FIBA Europe Cup dhe 4 i kemi në Ligën Ballkanike në konkurrencën e meshkujve, derisa synimi është që në 2017 të kemi edhe një klub të femrave në gara ndërkombëtare.

Shikuar në tërësi është bërë një punë e madhe, por edhe më e madhe pritet të jetë ajo në vitin 2017, ku FBK në krye me kryetarin e saj, Erolld Belegun dhe Bordin, janë të gatshëm për të gjitha sfidat që e presin federatën në vitin 2017.

Më poshtë mund të gjeni disa nga ngjarjet më të rëndësishme që e kanë përshkuar vitin 2016 në basketbollin kosovar:

–  Më 9 dhe 10 Janar është mbajtur Klinika për gjyqtarë dhe vëzhgues të basketbollit. Qëllimi i organizimit të kësaj Klinike ka qenë avancimi në ndarjen e drejtësisë sa më të mirë nga gjyqtarët dhe mbarëvajtja sa më e mirë e garave në të gjitha ligat e FBK-së. Në Klinikë të pranishëm kanë qenë rreth 60 pjesëmarrës (gjyqtarë dhe vëzhgues).

– Më 22 dhe 23 janar Kosova ka zhvilluar ndeshje miqësore me Bullgarinë në të dyja konkurrencat në kategorinë U-16. Përfaqësueset tona në të gjitha ndeshjet kanë regjistruar humbje.

– Më 22 janar në Munich, Kosova i ka mësuar kundërshtarët e saj të 6 Përfaqësueseve. E veçantë ka qenë tërheqja e shortit për Përfaqësuesen A të Kosovës, ku ekipi ynë ishte pjesë e Grupit E në kualifikimet historike për Eurobasket 2017 së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë. Edhe 5 Përfaqësueset e Reja të Kosovës, tri të meshkujve (U-16, U-18, U-20) dhe dy të femrave (U-16 dhe U-18) i mësuan emrat e kundërshtarëve në grupet dhe divizionet e tyre përkatëse.

– Kupa e Kosovës në basketboll këtë vit ka ndërruar pronar. Te meshkujt trofeu u kthye pas një viti nga Peja në Prishtinë, kurse te femrat nga Prishtina shkoi në Pejë. Sigal Prishtina në finale e ka mposhtur Pejën me rezultat 81:78, derisa te femrat Penza ka triumfuar ndaj Prishtinës me shifrat 91:77. Turneu Final i Ipko Kupës së Kosovës është zhvilluar më 12 dhe 14 shkurt në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku organizator ka qenë klubi bardhekaltër.

– Prej 19 deri më 21 shkurt në Prishtinë është organizuar Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Në këtë Klinikë ligjërues kanë qenë Davorin Nakiç, shef i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Europe dhe Gjorgi Piperkov, instruktor i FIBA-s . Klinika është organizuar nga FIBA Europe në bashkëpunim me FBK-në.

– FBK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTFBK) e ka organizuar Kursin Intensiv për Trajnerë nga data 24 shkurt deri më 3 mars. Kursi është përkrahur nga Solidariteti Olimpik, fondacioni më i madh në kuadër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), për zhvillim të sportit në vende të ndryshme të botës. Ligjërues në kurs ka qenë instruktori i FIBA-s, slloveni Tone Krump, ndërsa kanë marr pjesë rreth 30 trajnerë nga të gjitha kategoritë dhe nga të dyja konkurrencat.

– Më 3 qershor 2012 ka qenë data kur Trepça e ka zhvilluar ndeshjen e saj të fundit në palestrën “Minatori” në Mitrovicë dhe atë ndaj Sigal Prishtinës në finalet e “play-off”-it, kurse më 12 mars 2016 ishte data kur skuadra mitrovicase është rikthyer në palestrën tashmë të rinovuar, ku fati deshi që  të luaj ndaj rivales së përbetuar, Sigal Prishtinës. Fitore ka regjistruar ekipi bardhekaltër, ndonëse në këtë ndeshje rezultati ka qenë në plan të dytë pasi festa ishte për mitrovicasit, të cilët më në fund pas katër vjetësh u kthyen në folenë e tyre.

– Më 13 mars 2016 është bërë një vit që nga anëtarësimi i FBK-së në FIBA. FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, të mbajtur në Gjenevë. Që nga ajo kohë e deri më tani basketbolli kosovar është përballur me sfida nga më të ndryshmet, por në të njëjtën kohë ka provuar edhe aventura të reja ndërkombëtare.

– Më 20 prill, Sigal Prishtina e ka mbrojtur titullin e kampionit në Ligën Ballkanike (BIBL) pavarësisht disfatës së pësuar  nga Mornar-i në Tivar të Malit të Zi me rezultat  75:68 (23:15, 12:24, 22:8, 18:21), derisa dueli i parë i luajtur në kryeqytet ka përfunduar me rezultat 82:68.

– Ndeshja “All Star” – Memoriali “Isuf Lumi” është zhvilluar më 1 prill në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Nuk ka munguar asgjë, duke filluar nga aksionet atraktive, ngulitjet, trepikëshat në castet më delikate të ndeshjes, dhe për të gjitha këto u përkujdesën basketbollistët e të dyja skuadrave që u paraqitën në parket, ajo e vendorëve të Superligës së Kosovës dhe ajo e ndërkombëtarëve të elitës së basketbollit kosovar. Skuadra e ndërkombëtarëve ajo që e siguroi fitoren me rezultat 127:125.

– FBK prej 4 deri më 10 prill e ka  organizuar Kampin për grupmoshat U-12 dhe U-14 në të dyja konkurrencat. Ky kamp është organizuar me mbështetje të programit të FIBA-s, “Youth Development Camp”.  Kampi është udhëhequr nga  koordinatori i FBK-së për gjenerata të reja, trajneri amerikan Chris Dial, kurse kanë qenë të përfshirë rreth 300-400 fëmijë, si dhe 16 trajnerë të të dyja gjinive.

–  Më 30 prill dhe 1 maj Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së ka marr pjesë në takimin vjetor të të sekretarëve të përgjithshëm të FIBA Evropës të organizuar në Munich. Në kuadër të kësaj mbledhjeje vjetore të sekretarëve të përgjithshëm të federatave Hoxha ka pasur edhe një sërë takimesh tjera.

– Më 30 prill Rahoveci e ka mposhtur Dritën në ndeshjen e tretë finale të play-off-it në Ligën e Parë të Meshkujve dhe kështu është shpallur kampion i këtij rangu të garave, duke e fituar edhe të drejtën për të garuar në Superligën e Kosovës në edicionin e ri garues 2016/17.

– Më 8 maj basketbollistet e Prishtinës janë shpallur kampione të Kosovës për edicionin 2015/16 në Ligën e Femrave. Skuadra bardhekaltër e ka mposhtur Penzën në “Karagaci” të Pejës në ndeshjen e tretë finale të play-off-it.  Në këtë mënyrë Prishtina e ka mbrojtur titullin e fituar një edicion më parë.

–  Më 14 dhe 15 maj anëtari i Bordit i FBK-së, Valton Bilalli dhe sekretari i përgjithshëm, Leart Hoxha kanë marr pjesë në Konventën e Mini-Basketbollit që është mbajtur në Bruksel.

– Më 23 maj Sigal Prishtina është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2015/16 pasi e ka mposhtur Pejën në ndeshjen e pestë finale të “play-off”-it në Superligën e Kosovës. Takimi i luajtur në “Karagaçi” në prani të rreth 3000 shikuesve dhe në një atmosferë fantastike ka përfunduar me shifrat 70:65 (3:2). Pesë ndeshjet finale të “play-off”-it kanë qenë të ndjekura në dy palestrat në Prishtinë dhe Pejë nga mbi 15 mijë shikues.

– Me 37 vota pro dhe vetëm 1 kundër, Erolld Belegu e ka fituar edhe një tjetër mandat (2016-2020) në postin e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur më 7 qershor në Prishtinë.

– Më 18 qershor Justin Doellman, aloja e FC Barcelona ka pranuar të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Ky lajm u pati konfirmuar pas takimit që kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli e kanë pasur në Barcelonë me lojtarin. Belegu dhe Bilalli ishin mysafirë të kryetarit të FC Barcelona-s, Josep Maria Bartomeu në ndeshjen e dytë të finales së play-off-it të Ligës ACB ndërmjet Barcelona-s dhe Real Madrid-it.

– Përfaqësuesja U-18 (femrat) ka qenë e para që ka debutuar në gara të FIBA-s në konkurrencën e femrave. Kosova U-18 prej 8 deri më 13 korrik ka marr pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi B në Tbilisi të Gjeorgjisë. Basketbollistet kosovare kanë qenë në grup me nikoqirin, Gjeorgjinë, Maltën dhe Gjibraltarin. Kosova e ka përmbyllur aventurën e pare evropiane me 2 fitore e 2 humbje, duke e zënë kështu vendin e pestë në këtë garë.

– Përfaqësuesja U-18 e Kosovës (meshkujt) prej 8 deri më 15 korrik ka marr pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi B në San Marino. Kosova ka qenë në grup me Uellsin, Maltën, San Marinon dhe Moldavinë. Djelmoshat tanë në këtë Kampionat e kanë fituar medaljen e bronztë, duke e mposhtur në luftë për vendin e tretë, nikoqirin, San Marinon.

– Kosova U-16 në konkurrencën e femrave prej 18 deri më 23 korrik ka marr pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi A, në Andorra së bashku me Uellsin dhe Maltën. Edhe vashat e reja kosovare kanë regjistruar dy fitore e dy humbje në këtë kampionat, ndërsa ato e kanë fituar rastin të luajnë në gjysmëfinale, kurse në luftë për medalje të bronztë  janë mposhtur nga Malta dhe e kanë përmbyllur kampionatin në pozitën e katërt.

– Përfaqësuesja U-20 e Kosovës (meshkujt) e ka përmbyllur Kampionatin Evropian U-20, Divizioni B në Chalkida të Greqisë në pozitën e 20-të. Në luftë për pozitën e 19-të basketbollistët kosovarë janë mposhtur nga Estonia me rezultat 93:69. Kosova U-20 në këtë garë ka arritur të triumfoj ndaj Shqipërisë, derisa është mposhtur nga Holanda, Britania e Madhe, Greqia, Irlanda, Bullgaria dhe Estonia.

– Përfaqësuesja U-16 e Kosovës (meshkujt) ka marr pjesë në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni B në Sofje të Bullgarisë. Kampionati është zhvilluar prej 11 deri më 20 gusht, ndërsa Kosova ka bërë gara në Grupin C së bashku me Norvegjinë, Slloveninë, Rumaninë, Austrinë dhe Ukrainën. Kosova e ka përfunduar garën në pozitën e 14-të në mesin  e 24 shteteve pjesëmarrëse.

– Më 30 gusht Përfaqësuesja A e Kosovës ka debutuar në kualifikimet historike për Eurobasket 2017 në ndeshjen kundër Sllovenisë në Ljubljanë në kuadër të Grupit E. Në këtë ndeshje Kosova pati pësuar humbje me shifrat 113:68. Ndërkaq në takimin e parë të luajtur si vendas në “Mitrovicë”, Kosova është mposhtur në minutat e fundit nga Ukraina me rezultat 70:63. Në takimet tjera janë arritur këto rezultate: Bullgaria – Kosova 105:84, Kosova – Sllovenia 81:91, Ukraina – Kosova  100:61, Kosova – Bullgaria  62:67. Pjesëmarrja në kualifikime për Eurobasket 2017 ka qenë sukses në kuptimin e organizimit, logjistikës, kurse paraqitja e Justin Doellman-it, Scott Bamforth-it, por edhe Shawn Jones-it për Përfaqësuesen e Kosovës e ka përforcuar pozitën e Kosovës në hartën evropiane të basketbollit.

– Prej 28 gusht deri më 2 shtator në Mangalia të Rumanisë është organizuar Kampi i FIBA Europe në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja. Ky projekt udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, ndërsa implementohet nga Rumania, Kosova, Bullgaria dhe Maqedonia.  Në këtë Kamp Ndërkombëtar kanë marr pjesë gjithsej 120 fëmijë (djem) të moshës deri në 14 vjeç dhe rreth 30 trajnerë.  Qëllimi i organizimit të këtij Kampi është që tu jepet rasti fëmijëve potencial që ti masin forcat me moshatarët e tyre të shteteve të tjera pjesëmarrëse.

– Prej 2 deri më 4 shtator 2016 në Tivar të Malit të Zi është mbajtur Kampi Ndërkombëtar për Gjyqtarë të basketbollit, në të cilin FBK-në e kanë përfaqësuar instruktori nacional Faton Kurshumlija si dhe 8 gjyqtarë perspektiv. Udhëheqës të Kampit kanë qenë drejtori i FIBA World, Carl Jungebrand, Komisionieri i FIBA-s, Goran Radonjiq si dhe gjyqtarët Sreto Radoviq dhe Ilija Beloseviq.

– Më 24 dhe 25 shtator në organizim të FBK-së dhe Shoqatës së Gjyqtarëve të FBK-së (SHGJFBK) është mbajtur Klinika për gjyqtarët dhe vëzhguesit e basketbollit, ku udhëheqës i saj ishte Drejtori i Departamentit për Gjyqtarë në FIBA Europe, Davorin Nakiç, i cili është ndarë shumë i kënaqur me organizimin, testet nga njohja e rregullave, testimet fizike si dhe me interesimin shumë të madh të gjyqtarëve, vëzhguesve, trajnerëve, të cilët ishin prezent për këtë Klinikë të hapur.

– Më 1 dhe 2 tetor është mbajtur seminari për trajnerë të basketbollit, organizuar nga Shoqata e Trajnerevë dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).   Në seminar kanë marr pjesë mbi 60 trajnerë nga klube të ndryshme të Kosovës. Ligjerues në këtë seminar ishin Vladislav Luçiç dhe Aleksandar Lukman.

– Më 4 tetor FIBA i ka licencuar 5 mbajtës të statistikave  pas seminarit të mbajtur në Prishtinë, të organizuar nga FBK dhe  FIBA. Në seminarin në Prishtinë ka ligjeruar mbajtësja e statistikave nga FIBA, Maruta Eglite.

– Më 21 tetor kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli kanë qëndruar në Sofje të Bullgarisë me ftesë të FIBA-s. Gjatë qëndrimit në Sofje, Belegu dhe Bilalli janë takuar me shefin e Departamentit të Trajnerëvë në FIBA Europe, Michael Schwarz. Tema e takimit ndërmjet Belegut/Bilallit dhe Schwarz-it ka qenë modalitetet e themelimit të një programi kombëtar për licencimin e trajnerëve kosovarë. Schwarz dhe FIBA Europe janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë FBK-në në avancimin e trajnerëve vendor.

– Më 21 dhe 22 tetor në Sofje të Bullgarisë është mbajtur Konventa “FIBA Europe U14 GET-TOGETHER”, në të cilën FBK-në e ka përfaqësuar Elvira Dushku. Në këtë Konventë kanë ligjëruar, Mr. Kostas Missas, ligjerues nga programi i licencimit FECC, Chris Dial, udhëheqës i projektit për zhvillim të U-13 dhe U-14 për fëmijët potencial (meshkujt) i përkrahur nga Fondi për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF), si dhe Michael Schwarz, shef i Departamentit të Trajnerëvë në FIBA Europe.

– Prej 1 deri më 6 nëntor katër trajnerë potencialë nga Kosova kanë qëndruar  në Stamboll në kuadër të projektit të Fondit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF) në FIBA Europe. Trajnerët kosovarë, së bashku me ata bullgarë, rumunë dhe maqedonas kanë pasur mundësi që gjatë këtyre ditëve të vizitojnë klubet më të mëdha turke, por edhe të marrin pjesë në seancat e tyre stërvitore, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë njohuri bazike rreth basketbollit. Në të njëjtën kohë ata kanë pasur rastin të dëgjojnë ligjerata me tema të ndryshme nga strategë të basketbollit në Turqi.

– Më 12 nëntor FBK për herë të parë ka startuar me Ligën U-16 në konkurrencën e femrave. Deri te organizimi i kësaj lige ka ardhur pas interesimit të klubeve të qyteteve të ndryshme për të filluar me këtë projekt, por në të njëjtën kohë starti i kësaj lige dëshmon edhe rritjen e interesimit të vajzave të reja për të praktikuar basketbollin.  Liga U-16 është e ndarë në dy grupe, A dhe B.

– Më 10 dhjetor në Pragë të Çekisë është bërë tërheqja e shortit për garat në nivel të Përfaqësueseve për vitin 2017, ku Përfaqësuesja A e Kosovës i ka mësuar emrat e kundërshtarëve të saj në parakualifikimet për Kupën e Botës 2019 që do të  zhvillohet në Kinë.  Në parakualifikime Kosova do të jetë pjesë e Grupit C, ku do të bëjë gara me Estoninë dhe Maqedoninë.  Ekipet do të zhvillojnë ndeshje sipas sistemit vajtje – ardhje në muajin gusht të vitit të ardhshëm dhe dy ekipet më të mira të grupit do të marrin pjesë në kualifikime për Kupën e Botës 2019. Në kualifikime për Kupën e Botës marrin pjesë 32 kombëtare nga Evropa, kurse në Kupë të Botës marrin pjesë 12 ekipe nga kontinenti ynë. Edhe 5 Përfaqësueset e Reja të Kosovës, tri të meshkujve (U-16, U-18, U-20) dhe dy të femrave (U-16 dhe U-18) i mësuan emrat e kundërshtarëve në grupet dhe divizionet e tyre përkatëse.

 

 

loading...