Ngjarje e rrallë në sportin e SHBA-së

FBI-ja po e heton ekipin St Louis Cardinals, pasi skuadra e bejsbollit amerikan është akuzuar se ka hakuar kompjuterët e ekipit rival për t’i vjedhur të dhënat e lojtarëve, njofton “New York Times”.

Mësohet se ky sulm kibernetik ka ndodhur kundër ekipit Houston Astros dhe mendohet se është i pari në histori të sportit profesionist.

Synimi kryesor gjatë hakimit të kompjuterit ishin diskutimet për shkëmbimet e lojtarëve dhe statistikat e regjistruara. Liga e Bejsbollit e SHBA-së, MLB, ka konfirmuar hetimet dhe zyrtarët e saj kanë insistuar se kjo është një çështje serioze që mund të sjellë një dënim të rëndë.

Krerët e ekipit Cardinals, kanë thënë se po bashkëpunojnë me autoritetet rreth këtij rasti dhe nuk kanë dashur të komentojnë më shumë.

“Ne besojmë se shumë shpejt do të dëshmojmë se jemi plotësisht të pafajshëm. Ne si klub po bashkëpunojmë me autoritetet e duhura dhe nuk kemi asgjë më shumë çfarë të shtojmë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ekipi St Louis Cardinals.