Nga kush po frikësohet Hajvalia?

Hajvalia ka frikë. Por, frika nuk vjen nga konkurrentët për titull kampioni. Ajo vjen nga lëndimet. Kështu shprehet mbrojtësi i spikatur Erdin Hashani.

Kësaj skuadre iu lëndua së fundi Leart Emini, i cili mund të humb gjithë stinorin pranveror. “Hajvalia në luftë për titull nuk i frikohet asnjë ekipi, vetëm i frikohemi lëndimeve siç është rasti i fundit, që na u lëndua Leart Emini, e që do të na mungojë shumë. Frika e Hajvalisë për këtë sezon janë lëndimet”, thekson Hashani për Gazetën Olle.

Ai thotë se Hajvalia ka kapacitet për ta fituar titullin. “Po hajvalia tani i ka të gjitha gjasat që ta fitojë titullin e kampionit, duke e ditur se çfarë fondi të lojtarëve ka për këtë sezon. Pa diskutim që Hajvalia që e ka këtë grup të lojtarëve është më i forti deri tash, të kesh këtë grup të lojtarëve të bjen shumë rrallë ta kesh”.

Edhe Hashani, që ka bërë karrierë edhe në shumë klube tjera të Superligës dhe Shqipërisë, thekson se ky do të jetë kampionati më interesant. “Mendoj që këtë vit ka me qenë njëri pa diskutim ndër kampionatet më interesante për shkak se edhe në garë për titull, janë katër skuadra, ndërsa edhe në garë për mbjetesë po ashtu janë 4 skuadra dhe tjetra është sepse nuk ka asnjë skuadër favorite vetëm në letër”.

Flokëverdhi nga Prishtina, do t’i mungojë Hajvalisë në dy takimet e para, shkaku I dënimit prej tri ndeshjeve nga organet disiplinore të FFK-së, pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq në fund të vitit të kaluar. “Nuk më ka ndodhur që prej se luaj futboll, të dënohem me tri ndeshje moslojë dhe po ashtu nuk më ka ndodhur që të fillojë sezoni edhe të mos luaj dy ndeshjet e para qenka shumë e vështirë, por që kjo është një mësim për mua, sepse siç dihet ndeshjet e para janë shumë me rëndësi për ecurinë e kampionatit dhe është shumë e vështirë që të mos jesh në skuadër të jesh bashkë me grupin që të ju ndihmosh”, përfundoi Hashani. (Gazeta Olle)