Nesër Kuvendi i Dritës, ja çfarë premton biznesmeni shqiptar nga Dubai

Klubi i Dritës shpejt mund të dalë nga kriza.

Gjilanasit nesër kanë planifikuar ta mbajnë Kuvendin Zgjedhor të klubit, ku të pranishëm do të jenë edhe dy sponsorët e rinj, biznesmenët, Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku.

Siç merr vesh Gazeta Sheshi, Murseli do të jetë pikërisht kandidat për kryetar të klubit. Ai ia ka prezantuar projektin pjesës tjetër të kryesisë dhe me gjasë do t’i marrë “frenat” e klubit.

Murseli është duke pritur pikërisht konfirmimin e tij si kryetar për ta filluar misionin te Drita që ka mbetur paksa prapa për dallim nga ekipet tjera.

Megjithatë, premtimet e Murselit janë të tilla që Drita nuk do të ketë problemet e edicionit të kaluar edhe në kampionatin e ri që do të nisë më 20 gusht.

Përkundrazi, ai ka premtuar ndryshime të mëdha. Murseli e Bunjaku së fundmi kanë marrë përkrahje edhe nga tifozët e klubit, “Intelektualët”.