Nëse nuk del kampion i kthen paratë e kontratës!

Karakteri i tij nuk i duron dot humbjet. Synon gjithmonë maksimumin dhe e ka të vështirë që ta përballojë humbjen e ndonjë ‘beteje’.

Trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi, sot e humbi një ‘betejë’, por kjo nuk do të thotë se e ka humbur edhe ‘luftën’ e skuadrës së tij për titull kampioni.

Hajvalia e tij pësoi në fushën e Istogut me rezultat 2:1. “Jam shumë krenar me lojtarët e mi. Më vjen mirë si trajner, që së bashku me ndihmësit e m, kemi arritur ta instalojmë një mentalitet ftues dhe luftarak”, ka thënë për sportal.al, Ismet Munishi.

Në pyetjen se a është dorëzuar Hajvalia sa i përket titullit, ai deklaroi: “Pavarësisht humbjes, jemi pretendenti kryesor për titullin e kampionit. Më vjen keq, por do t’i zhgënjemë ‘armiqtë’ e Hajvalisë. Kush qesh i fundit, qesh më së miri”.

‘Timonieri’ i njohur si ‘Ismet Baba’ sot (e mërkurë) ka arritur edhe një marrëveshje interesante me Hajvalinë. “Nuk do të ndodh, por nëse rastësisht do të ndodh, që mos të dalim kampion, do t’i kthej të gjitha paratë e kontratës në klub. Sot e kam arritur një marrëveshje me drejtorin e klubit, Xhavit Pacolli. Është e vërtetë se kryesia na ka plotësuar të gjitha kushtet për punë dhe ndjej obligim ndaj tyre”, pohoi Munishi, i cili vitin e kaluar e shpalli Llamkos Kosovën për herë të parë kampion.

Hajvalia pas javës së 20-të, është treta në renditje me 32 pikë, tetë më pak se lideri, Feronikeli. Ky ekip dy ndeshjet e radhës i zhvillon ndaj Besës së Pejës dhe Prishtinës në stadiumin e kryeqytetit.