Nëntë trofe për gjashtë muaj: Rekordmeni Agon Ramadani

Nëntë kupa për gjashtë muaj. Nëse jeni adhurues të matematikës, tripletën e famshme shumëzoni me tre dhe do të shihni numrin e trofeve që i ka fituar Agon Ramadani në vitin 2015.

Falë formës fantastike nëpër të cilën po kalon, Ramadani ka fituar me Feniksin Kupën e Kosovës, Superkupën e vendit, Ligën Pavarësia në Prishtinë dhe Podujevë, Ligën Total në Lipjan, Turneun Adem Jashari, atë Driton Ahmeti në Drenas, Street Kosovën para dy ditës dhe sot, turneun e njohur Rasim Kiçina.

“Falë Zotit po kaloj formë shumë të mirë këtë vit, ku për gjashtë muaj kam fituar nëntë trofe. Meritor për këtë është përgatitja fizike, por edhe loja e shokëve të skuadrës, pa të cilët nuk kisha mundur që të kem suksese të tilla”, deklaroi Ramadani për GazetaOlle.com.

Duke sunduar në pothuajse çdo parket që luan, Agon Ramadani është bërë njëri ndër futbollistët më të mirë të futsallit kosovar në vitet e fundit.