Në vend të përkujtimit: Në gjashtëmujorin e vdekjes, kujtimi për Fadilin mbetet i gjallë përjetësisht

Kam vështirësi teksa po tentoj t’i shkruaj disa rreshta për mikun tim, për legjendën tonë, për presidentin tonë, tashmë të ndjerë, Fadil Vokrri. Kur po thellohem në kujtime për rrugëtimin tonë të përbashkët për zhvillimin e futbollit të Kosovës.

Ike i heshtur në këtë fillim vere, pa arritur të na thuash lamtumirë, mbase nuk i doje lamtumirat ngase shumë e adhuroje të ardhmen. Jo vetëm unë, por të gjithë u rritem me jehun dhe magjinë e lojës tënde duke u shndërruar në legjendë.

Dhe nuk thonë kot se legjendat nuk vdesin kurrë. Nuk e pata fatin të isha bashkëlojtarë i yti, por isha me fat që u bëmë bashkë në një rrugëtim të lavdishëm, në rrugën dhe misionin e përbashkët që sakrificave të shumë brezave të u japim kurorën e duhur pranimin në arenën ndërkombëtare. Nami që kishte arritur gjithandej, të ndihmoi Ty dhe neve të tjerëve që të kishim prijës , për të hapur dyer e rrugë që  na bënë pjesë të familjeve të mëdha të futbollit evropian e botëror, të mirat të cilat po i shijojmë tash. Dhe kjo po na bënë krenarë dhe obligues që me këmbëngulësi të vazhdojmë rrugën dhe vizionin tënd.

Unë si pasues i yti dhe të tjerët jemi të vendosur që ëndrrat tona të përbashkëta që janë edhe amaneti i yt të i bëjmë realitet. Dhembjen dhe boshllëkun që na le me ikjen tënde, po mundohemi ta zbusim dhe ta plotësojmë me punë përkushtim dhe çdo sukses i punës tonë me zell, të dedikohet Ty dhe gjithçka mbanë vulën dhe emrin tënd. Shpresojë se edhe Ti lartë në qiell, ta kesh dëgjuar jehonën dhe thirrjet e adhuruesve në stadiumin buzë Arbërisë, që tashmë e bartë emrin tënd e qielli mbi Prishtinë, po gjëmon nga përmendja e emrit tënd.

Mik i dashur, legjenda e jonë Ti tash jeton ku do ku ka shqiptarë dhe jo vetëm, prania e jote hetohet në çdo zemër dhe mendje të çdo futbollisti dhe shqiptarëve gjithandej. Do të jemi përjetësisht falënderues për gjithçka që ke dhënë dhe ke bërë për neve dhe kujtimi për Ty do të jetë i përjetshëm.

Në këtë gjashtëmujor të vdekjes tënde të gjithë të kujtojmë me mall të pashuar…

Me respekt

Agim Ademi (kryetar i FFK-së) dhe KE i FFK-së