Në Maqedoni po nis futbolli: “Në javën e ardhshme futbollistët kthehen në stërvitje”!

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipce, në konferencën për media tha se nga kjo javë do të kthehen stërvitjet në vende të hapura për sportet individuale, kurse paralajmëroi rregullimin e masave për javën e ardhshme dhe kthimin e mundshëm të futbollistëve në stërvitje.

Sportet kolektive në Maqedoninë e Veriut dy muaj janë në ndërprerje.

“Komisioni për sëmundje infektive do të paraqesë propozim për lirimin e masave restriktive dhe ai propozim plan parasheh që këtë javë të kthehen në funksion qendrat për edukim, seminaret dhe trajnimet për të rritur, autoshkollat, qendrat për provime, trajnimet sportive në vend të hapur për sporte individuale, tenis, dhe kompanitë e basteve përmes sporteleve dhe banakeve, pa lokale dhe veprimtari shoqërore. Javën e ardhshme është paraparë të ketë ndryshime të reja, mes të cilave kthimin e stërvitjeve sportive në të hapur dhe sporteve kolektive”, deklaroi Filipce.

Tani fjalën e ka Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) e cila duhet të vendos rreth datës eventuale për vazhdimin e kampionatit dhe mënyrën se si do të luhet.