Në Kosovë, transferime paushall!

Afati kalimtar i janarit ishte mjaft i bereqetshëm për klubet e Superligës. Mbi 70 transferime u regjistruan në fund të muajit që e lamë pas, ndërsa një pjesë e mirë e tyre ishin futbollistë nga jashtë.

Por, edhe kësaj here klubet u përforcuan shkel e shko pasi nënshkruan kontrata me futbollistët pa i provuar si duhet dhe pa pasur informata të sakta për ta, mbi të gjitha për ata të huaj, ndërkohë që futbollistët e vendosën të zezën mbi të bardhë pa iu nënshtruar kontrolleve mjekësore, siç ndodh në krejt botën, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Madje në klubet evropiane nëse një futbollist nuk i kalon testet mjekësore dështon transferimi. E në vendin tonë klubet vazhduan me avazin e vjetër, duke treguar mungesë profesionalizmi. “Ky është një defekt i madh që ndodhur tek ne. Fajin e kanë drejtorët sportivë të klubeve që i marrin lojtarët pa i kontrolluar, pa ua ditur kapacitetin fizik dhe pa e ditur nëse ka pasur eventualisht lëndime në të kaluarën. Me një fjalë, nënshkruajnë kontrata me lojtarët pa marrë informata të mjaftueshme për ta”, thotë për “Zërin” trajneri Fahredin Duraku.

fahredin duraku

“Tek ne klubet nënshkruajnë aty për aty, pa i provuar apo pa i testuar futbollistët. Një pjesë e mirë e transferimeve u kryen në ditën e fundit të afatit kalimtar pa iu nënshtruar kontrolleve mjekësore, kjo nuk është në rregull. Unë për vete nuk kam marrë lojtarë pa i kryer testet mjekësore”, vazhdoi ai.

Metodat, demode

Ai e di se në Bardhosh është një qendër e testimeve të futbollistëve, por edhe një në Pallatin e Rinisë, mirëpo thotë se kjo nuk është e mjaftueshme. Ai mendon që secili klub duhet ta ketë qendrën e tij për kontrollimin fizik të futbollistëve. “Jemi pranuar tashmë në UEFA e në FIFA dhe duhet ta ndjekim rrugën e klubeve evropiane. S’kemi çka presim më, pasi nuk jemi askund. Jemi duke vepruar ende me metoda të vjetra”, shprehet trajneri mitrovicas.

Tutje ai shtoi se kur të merret letra e mjekut, atëherë mund të nënshkruajë lojtari me klubin përkatës. Më pas, sipas tij, çdo përgjegjësi i kalon mjekut.

superliga drenica trepca 89

 

Ai i ka kritikuar edhe drejtorët sportivë të klubeve për punën që e bëjnë, pasi konsideron se ata nuk kanë lidhje me punën e tyre pasi këtë pozitë e marrin njerëz të biologjisë apo edhe të kimisë. Duraku ka përvojë ndërkombëtare pasi ka punuar nëpër klube në Gjermani dhe në Turqi, prandaj mendon se futbolli kosovar është shumë larg.

Afati kalimtar i janarit ishte njëri prej më të pasurve në futbollin e pasluftës. Një pjesë e klubeve u përforcuan për t’i arritur qëllimet e tyre, për ta fituar titullin e kampionit apo Kupën e Kosovës dhe rrjedhimisht për të dalë në Evropë e të tjera për t’iu shmangur barazhit apo edhe rënies nga Superliga.

superliga drenica trepca 89