Në Estoni shënohen 70 gola në tri ndeshje

Tri skuadra estoneze janë bërë gazi i botës në garat e kupës së këtij vendi, shkruan sot Koha Ditore.

Në ndeshjet e garave të Kupës, të zhvilluara të dielën, janë shënuar plot 70 gola nga ekipet vendase, të cilat nuk e kanë pranuar asnjë.

Ndeshja me rezultatin më të thellë ishte ajo ndërmjet FC Infonet dhe Virtsu Jalgpalliklubi. FC Infonet ka shënuar fitore me rezultatin 36:0.

Dy ndeshjet tjera të kupës, kanë përfunduar me shifrat 14:0 dhe 20:0.

Me gjithë humbjen me 36 gola, skuadra Virtsu që vjen nga një qytet i vogël me 500 banorë, me krenari e ka postuar rezultatin e ndeshjes kundër Infonetit në uebfaqen zyrtare.

Madje, në këtë uebfaqe thuhet se ky “ishte një rezultat i pritur dhe i mirë, pasi ekipi është në zhvillim e sipër”.

Po ashtu ekipi krenohet se është bërë kryelajm i mediumeve të Estoni, por edhe më gjerë.

Pjesëloja e parë përfundoi 13:0, kurse në pjesëlojën e dytë, Virtsu pranoi edhe 23 gola tjerë para 83 tifozëve që ishin në tribuna për ta përcjellë këtë ndeshje.