‘Në Arsenal kishte klane’

Mbrojtësi i Arsenalit, Nacho Monreal, ka thënë se kohë më parë kishte klane të ndryshme të lojtarëve brenda skuadrës, mirëpo tashmë ata janë bashkuar dhe kjo gjë ka sjellë rezultate pozitive. Kjo gjë ndodh edhe në klubet kosovare, ku vendorët nuk i duan edhe aq ata që nuk janë nga ai qytet ku luajnë.

Topçinjtë e nisën jo edhe aq mirë sezonin 2014/15, mirëpo pas vitit të ri kaluan një periudhë fantastike ku edhe arritën ta sigurojnë pozitën e tretë, si dhe trofeun FA Cup.

“Atmosfera në dhomën e zhveshjes është e mrekullueshme, jo vetëm me lojtarët që flasin gjuhën spanjolle, por me të gjithë skuadrën”, ka thënë spanjolli fillimisht.

“Ne jemi një grup. Ndoshta më parë ka pasur grupe angleze, franceze dhe spanjolle, por tani ne jemi të bashkuar si një grup. Atmosfera është e mahnitshme, dhe unë mendoj se kjo është arsyeja që ne e përfunduam sezonin duke luajtur aq mirë”, ka shtuar Monreal.