Ndeshje shumë e rëndësishme për Pejën

Fazën e dytë në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL) skuadra e Pejës nuk e nisi me këmbë të mbarë, pasi një javë më parë është mposhtur në “Karagaçi” nga Levski 2014 me rezultat 85:79.

Megjithatë verdhezinjtë janë zotuar se ajo disfatë tashmë i takon së kaluarës, por edhe që sipas tyre ka qenë një leksion i mirë, andaj ata edhe janë mobilizuar maksimalisht për ndeshjen e së mërkurës mbrëma kur do të luajnë sërish para tifozëve të tyre përballë Kozuv-it nga Gjevgjelia e Maqedonisë në kuadër të xhiros së dytë të Grupit D.  Maqedonasit një javë më parë janë mundur në shtëpi të vet nga Sigal Prishtina.

Alban Veseli, basketbollist i Pejës: “Kjo është ndeshja më e rëndësishme deri më tani në Ligën Ballkanike për ne. Pas humbjes së parë duhet të shënojmë fitore patjetër në këtë ballafaqim. Është takim shumë i rëndësishëm për ne. Jemi të përgatitur maksimalisht dhe do të japim 100 % për të shënuar fitore. Ekziston një dëshirë e madhe për fitore. Është përballje shumë e rëndësishme dhe nuk ka opsion tjetër. Për të vazhduar në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike duhet të fitojmë këtë ndeshje. Kozuv ka një ekip shumë të mirë dhe nuk bën t’i nënçmojmë. Kanë lojtarë të dalluar dhe nuk do të jetë lehtë, megjithatë jam optimist se do të triumfojmë para shikuesve tanë që na kanë përkrahur gjithmonë”.

Ndeshja ndërmjet Pejës dhe Kozuv-it do të zhvillohet me fillim nga ora 19:30.

Peja në ndeshjen ndaj Sigal Prishtinës të dielën në kuadër të Superligës së Kosovës nuk luajti e kompletuar, pasi munguan Drilon Hajrizi dhe Ronald Davis, derisa nuk u paraqit as AJ West i sapoardhur te pejanët, por që pritet në ballafaqim me maqedonasit verdhezinjtë të jenë të kompletuar duke marr parasysh edhe rëndësinë e takimit