Ndërrimi i kryesisë dhe trajnerit, Behar Maliqi zbulon objektivat e Feronikelit

Ndryshimet në kryesinë dhe në shtabin teknik të Feronikelit nuk i kanë zbehur aspiratat e skuadrës nga Drenasi.

Madje, ato janë shtuar pasi futbollistët besojnë fuqishëm se kryesia e re do të sjellë përforcime dhe do ta ndërtojë një ekip që mund të fitojë trofe këtë edicion, shkruan sot gazeta Zëri.

“Nikli” ka 28 pikë në tabelë, gjashtë më pak se lideri Llapi.

Mirëpo, kjo diferencë duket e arritshme nga ekipi Bardhegjelbër, i cili me trajnerin e ri Ismet Munishin pritet t’i hyjë pranverës i stërmotivuar për ta fituar titullin e kampionit, që rrjedhimisht do ta dërgonte këtë skuadër në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

behar maliqi feronikeli vellaznimi

“Prej Kupës vetëm se jemi eliminuar dhe tash e kemi të vetmin synim titullin e kampionit. Realisht jemi gjashtë pikë larg dhe në futboll gjashtë pikë nuk janë shumë”, thotë për “Zërin” kapiteni dhe lojtari kryesor i Feronikelit, Behar Maliqi.

Vazhdojmë me suksese

Sipas tij, “lëkundjet” e fundit që ndodhën në Drenas nuk do të ndikojnë tek futbollistët, të cilët premtojnë se do ta japim maksimumin nga vetja, pasi vendosën përfundimisht të qëndrojnë në ekipin aktual, edhe pse fillimisht i morën fletëlëshimet nga kryesia e larguar së fundmi.

“Ne jemi profesionistë dhe nuk besoj se do të ndikojë ndërrimi i kryesisë. Me të vërtetë anëtarët e kryesisë, që u larguan, kanë qenë njerëz që kanë bërë shumë për klubin e Feronikelit, sukseset e tregojnë këtë. Besojmë se do ta vazhdojmë atë sukses që e kanë lënë ata”, vazhdoi ish-futbollisti i Prishtinës.

Image

Ai nuk e di nëse në pjesën e dytë të sezonit “Nikli” do të jetë më i fortë sa i përket kualitetit, ndërkohë që beson edhe në ekipin aktual të dy herë kampionit të Kosovës.

“Trajneri dhe kryesia e re do të vendosin nëse do të përforcohet ekipi. Ne si lojtarë do të mundohemi ta kryejmë vetëm punën tonë”, përfundoi Maliqi.

Titullin dhe Evropën

Pas ndërrimit të kryesisë Feronikeli u nda me trajnerin Zekirija Ramadani, me të cilin nuk arriti marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit, derisa e emëroi menjëherë pasardhësin e tij, trajnerin Ismet Munishi, që po ashtu i ka thënë të dielën “Zërit” se beson në një sezon të suksesshëm me ekipin e tij të ri.