Ndërpritet kampionati në Shqipëri, gjyqtarët nuk referojnë në fundjavë

Këtë javë nuk do të ketë futboll në vendin tonë. FSHF, pas bojkotit nga arbitrat ka vendosur që të ndalojë kampionatin.

Mësohet se arbitrat janë lajmëruar se nuk do të shkojnë në takimet dhe kjo vlen për të gjitha kategoritë e kampionatit në vendin tonë.

E gjitha vjen si reagim pas dhunës ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në ndeshjen Kamza-Laçi, ku vendasit janë përjashtuar nga ky kampionat dhe do ta nisin vitin e ardhshëm nga Kategoria e Dytë.

Ndërkohë FSHF dhe Shoqata e Arbitrave kërkon që në stadiume të rikthehet policia, në mënyrë që të sigurohet rendi. Ditën e sotme, institucioni më i lartë i futbollit në vend ka lajmëruar edhe klubet për këtë situatë.

Nuk dihet ende se kur do të zhvillohet java e 25-të e kampionatit, me ndeshjet që ishin parashikuar të luheshin ditën e premte dhe të shtunë.