Nderohen me shtatore në Prishtinë, Fadil Vokrri dhe Majlinda Kelmendi

Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite në sport.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, përmes dy letrave të nënshkruar sot me anë të së cilave iu është drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga ai që të sigurohet dy lokacione, njëra për vendosjen e shtatores së legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri dhe tjetra për vendosjen e statujës për kampionen me famë botërore Majlinda Kelmendi. Me këtë rast, Gashi tha se lokacionin për shtatoren e Vokrrit e ka kërkuar afër stadiumit.

“Kam kërkuar nga kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti që të bëhet ndarja e një lokacioni të përshtatshëm afër Stadiumit “Fadil Vokrri”, për të vendosur shtatoren e legjendës së futbollit kosovarë Fadil Vokrri. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite në fushën e sportit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur që të ndërtoj shtatoren për legjendën e futbollit”, tha ministri.

Po ashtu, ai kërkoi që të ndahet një lokacion i përshtatshëm për vendosjen e statujës së Majlinda Kelmendit. “Duke marr parasysh sukseset e xhudistes me famë botërore dhe fitueses së Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike si dhe fituese së shumë kampionateve dhe garave ndërkombëtare, Federata Botërore e Xhudos ka vendosur për ta nderuar me ngritjen e një statujë në kryeqytetin e Prishtinës”, përfundoi Gashi./21media