NBA: Mbyllet ndeshja e tretë, kjo skuadër është në epërsi 2:1

Lebron James nuk ka rivalë në basketbollin amerikan. Ashtu si në dy takimet e para ylli i Cleveland shkëlqeu sërish teksa realizoi në total 40 pikë, 12 kërcime dhe 8 asiste duke udhëhequr Cavaliers drejt një tjetër fitoreje në finalet e mëdha të NBA me shifrat 96:91.

Tashmë serinë e kryeson skuadra nga Ohio 2:1 në ndeshje, me ‘Mbretin James’ që la edhe njëherë tjetër në hije rivalin e tij më të madh, yllin e Golden State, Stephen Curry. Në Quicken Loans Arena  në Cleveland sfida e tretë finale mes Cavaliers dhe Warriors nisi me një epërsi të lehtë të të zotëve të shtëpisë.

Një kosh spektakolar me zhytje i Lebron i dha Cleveland-it, kryesimin 12-5 kur kishin kaluar 5 minuta nga fillimi i periodës së parë. Curry i cili e mbylli ndeshjen me 27 pikë nuk arriti të shfaqte formën e tij më të mirë gjatë minutave të para, megjithatë për të ngushtuar disi distancën mendoi Igoudala që realizoi pas një asisti të Livingston. Perioda e parë përfundoi me rezultatin 24-20 në favor të Cavs, ndërkohë që edhe 12-minutëshi rezultoi shumë i luftuar.

J.R Smith me një kosh të tijin e ngriti rezultatin në 31-26, falë edhe lojës së shkëlqyer të dyshes James-Dellavedova, Cleveland shkoi në pushim me një avantazh prej 7 pikësh. Pas pushimit pavarësisht përpjekjeve të Curry-it dhe Thompson ndeshja e Quicken Loans Arena nuk pati më histori sepse Lebron James ishte thjeshtë i papërmbajtshëm dhe falë lojës së tij fantastike skuadra e trajnerit David Blatt arriti të zgjaste avantazhin deri 68-48. Në përfundim të periodës së tretë tabela elektronike tregonte shifrat 72-55 për Cavs, ndërkohë që 12-minutëshi i fundit i shërbeu Golden State për të ngushtuar disi diferencën me rezultatin përfundimtar të këtij takimi që u fiksua në shifrat 96-91. Me serinë 2-1 në favor të Cavs  edhe takimi i 4-t final do të zhvillohet në Cleveland të enjten.

Loading...