NBA, fitojnë Rockets dhe Bulls

Houston Rockets i udhëhequr nga një James Harden në formë të mirë e nisi me fitoren serinë e përballjeve play-off me Dallas Mavericks. Në Toyota Center teksanët u shfaqën të papërmbajtshëm që në fillim të takimit, duke krijuar një diferencë të ndjeshme ndaj Mavericks. Tre minuta nga starti Trever Ariza i rrëmbeu një top Monta Ellis duke ftuar në një gjuajtje për tri pikë James Harden, me rezultatin që shkoi deri 19-6. Perioda e parë u mbyll 32-19 për Rockets, por Mavericks dominuan në periodën e dytë madje duke marrë disa herë avantazhin, me pjesën e parë që u mbyll 59-55. Ne periodën e tretë Houston imponoi ritmin e fillimit të takimit, duke shkuar deri +14 pikë, por në minutat e fundit lëshoi shumë terren me Dallas që realizoi 7 pikë radhazi. Në Periodën e fundit Rockets nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitoren, duke e mbyllur ndeshjen me 10 pikë diferencë 118-108.

Harden, përvecse realizoi 24 pikë, dha edhe 11 asist, ndërsa për Dallas më i miri në parket rezultoi Dirk Novitzki, që realizoi gjtihashtu 24 pikë, dha 2 asist dhe kontrolli 8 topa nën tabelë. Përballja e dytë e serisë së play-offit do të luhet më 21 Prill në Houston.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes Chicago Bulls kaloi 103 – 91, Milwaukee Bucks në një takim ku shkëlqeu Butler me 25 pikë dhe 6 asist. Përballja e dytë e serisë së ndeshjeve play-off do të zhvillohet po në Chicago.