Nadal triumfon në Hamburg

Rafael Nadal triumfon në Hamburg pas një finaleje tepër emocionuese përballë tenistit italian Fabio Fognini, duke koleksionuar njëkohësisht titullin e 67 ATP në karrierë. Pak a shumë pritej një ndeshje e rivalizuar ndërmjet tyre për shkak të dy fitoreve të 28-vjecarit nga Sanremo gjatë këtij viti në Rio de Janeiro dhe Barcelonë megjithatë për nga emocionet, intensiteti i lartë dhe niveli i lojës padyshim kjo është finalja më e bukur deri në këtë pikë të sezonit, shkruan “Supersport.al”.

Në mënyrë të habitshme takimi u mbyll në vetëm dy sete tepër të gjatë por fare mirë ndeshja mund të përfondonte në set final. Përpara 13.300 spektatorëve në fushën qendrore në Am Rothenbaum të dy tenistët e nisën plot vrull sfidën duke ofruar një tenis spektakolar.

Numri 32 i botës që e pati fituar turneun German Open edhe përpara dy vjetësh e theu menjëherë në shërbim “Mbretin e fushave me dhe” që në game-n hapës, një game i gjatë plot 12′. 6′ më vonë Rafa u kundërpërgjigj, ndërsa pas gjysmë ore lojë rezultati ishte i barabartë 2-2, por me që të katër game-t e para që shkuan kundër shërbimit. I pari që u mbrojt në servis ishte tenisti spanjoll, e që nga game i pestë gjithcka shkoi sipas shërbimit. Pikërisht atëherë kur u mendua se seti i parë do të përcaktohej me tie break Rafa ndëshkoi kundërshtarin, ndonëse edhe këtë e arriti vetëm pasi Fognini i anulloi plot tre mundësi për setin. Pasi fitoi setin e parë në 77′ 29-vjecari nga Mallorca e mposhti në servis tenistin italian në game-n e katërt të setit pasardhës, duke krijuar përshtypjen e një fitoreje të lehtë. Ngjarjet rrodhën krejt ndryshe dhe numri 32 i botës u rikthye duke koleksionuar tre game radhazi.

Takimi vijoi të dhurojë emocione të forta, aq sa në 9 lojët e fundit të ndeshjes u regjistruan plot 7 game me break. Një moment që do të kujtohet gjatë nga Fognini ishte pikërisht ai i game-t të 10, kur Fabio pati 2 mundësi për të fituar setin në rezultatin 40-15. Fati i kësaj sfide megjithatë duket se u vulos përfundimisht në castin e ndërrimit të fushave, në rezultatin 5-4, kur tenisti nga Sanremo debatoi plot zemërim me Rafën, në një zënkë “live” me fjalë. Që nga ai moment numri 10 i botës fitoi tre lojët në vazhdim duke mbyllur gjithcka, megjithatë vlen të theksohet fakti që ashtu si në setin hapës edhe në game-n e 12 të këtij seti Fognini shpërdoroi dy mëndësi të tjera për ta cuar setin në tie break. Përfundimisht tenisti iberik fitoi gjithë takimin me rezultatin identik 7-5, 7-5 në 2 orë e 34′ në një ndeshje ku u regjistruan plot 12 game me break nga 24 që u luajtën gjithsej.

28-vjecari italian e mbylli këtë duel me plot 60 gabime, 33 vetëm në setin e parë gjithsesi falë ecurisë pozitive të kësaj jave Fognini pritet të përmirësohet me pesë pozicione në klasifikimin ATP. Për vetëm 5 pikë do të fitojë një vend në renditjen botërore gjithashtu edhe Rafael Nadal që do të kalojë në klasifikim kroatin Marin Cilic, sidoqoftë ky ishte objektivi i tenistit spanjoll për këtë turne ku mungonte që nga viti i largët 2008 dhe ku përfitoi nga një ftesë e organizatorëve. Tenisti italian do të mbetet sërisht te 3 titujt e fituar në karrierë dhe për të kjo ishte finalja e dytë e humbur pas turneut në Rio. Përvecse një ndeshje e madhe e me pikë vërtet shumë të bukura vlen të përmendet fakti që kjo finale ishte rraskapitëse për të dy tenistët aq sa në ceremoninë përmbyllëse në fjalën e rastit Nadal kërkoi ndjesë pasi pati probleme me ngërcin dhe u ndihmua nga një fizioterapist. Kështu Nadal ruan të paprekur rekordin e tij me të paktën një titull evropian të fituar cdo sezon, në një sipërfaqe të tillë, që nga viti 2004. Për Rafën kjo ishte pjesëmarrja e parë që pas eliminimit në Wimbledon nga tenisti gjerman Dustin Brown dhe titulli në Hamburg është i 47 në karrierë për tenistin spanjoll në fushat me dhe.