Musolli “kërcënon” Skënderbeun

Besar Musolli, mesfushori qëndror i Kukësit, flet para ndeshjes me Skënderbeun, ndërkohë në fillim vlerëson paraqitjen e mirë ndaj Flamurtarit për kupë, ndërsa si çelës të suksesit sheh një sërë faktorësh, që kanë të bëjnë me presidencën, stafin dhe harmoninë në ekip.

Gjithashtu ai vë në dukje frymën pozitive që ka sjellë trajneri Duro si dhe ndikimin e merkatos cilësore që u bë në janar, ndërsa kalimin në finale e shikon më të lehtë pas fitores së parë 0 – 2 në Vlorë.

Më tej ai flet për përballjen me Skëndërben: “Në të gjitha përballjet me Skënderbeun kemi zhvilluar lojë shumë të bukur, por shpeshherë rezultatet s’kanë qenë tregues i lojërave tona. Kësaj radhe, lojës së bukur do t’ia bashkangjitim edhe fitoren”.

Sipas asaj që Musolli thotë për “Panorama Sport”, përballja me korçarët është thjesht një ndeshje e radhës, pasi të tjera përballje mbeten për t’u luajtur e do të jenë edhe shumë pikë në lojë, por : “Kemi orare dhe kalendar shumë të ngjeshur, por do t’ia dalim”.

Sa i takon faktit që Skënderbeu vjen me një ekip më të freskët pasi la titullarët jashtë në sfidën e kupës me Laçin, Musolli kërkon të mos e komentojë një vendim që i përket krejtësisht korçarëve, ndërkohë që pohon që më këtë ritëm Kukësi mund të arrijë edhe vendin e dytë.

“Me formën që po kalojmë, çdo gjë është e mundur”, shprehet mesfushori i cili më tej shton: “Në kampionat them se 3 javët në vazhdim vendosin gjithçka për Kukësin, ku primare mbetet vendi i tretë. Për sa i përket kupës, e kemi kryer gjysmën e punës”.