Muriqi krahasohet me Giroud: I gatshëm për Premierligë

Ish-drejtori sportiv i Fenerbahçes, Damien Comolli beson se vlera e sulmuesit kosovar mund të rritet deri në verë

Vedat Muriqi po e kalon një sezon të madh në Turqi, përkundër krizës së golave në ndeshjet e fundit.

Sulmuesin kosovar e ka lavdëruar ish-drejtori sportiv i Fenerbahçes, Damien Comolli.

Sipas tij, përfaqësuesi kosovar është i gatshëm të luajë në Premierligë, shkruan Gazeta Express.

Ish-zyrtari i lartë i klubit turk ka konfirmuar po ashtu se klube të ndryshme evropiane e kanë vëzhguar vazhdimisht sulmuesin shtatlartë në stadium.

“Vedat Muriqi i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për të luajtur në Premierligë. Zhvillimi i tij ka tërhequr vërtetë vëmendje. Unë gjithmonë e krahasoj atë me Olivier Giroudin. Vedati mund të mos jetë ende gati për të luajtur në Manchester City apo Liverpool, por ai lehtë mund të luajë në çdo klub tjetër të Premierligës”, ka thënë Comolli për mediat turke.

Madje, ai beson se vlera e futbollistit prizrenas mund të rritet edhe më shumë deri në verë.

Momentalisht, Fenerbahçe i kërkon 35 milionë euro për kartonin e ish-futbollistit të Rizesporit.

“Para 18-19 muajsh ai luante në ligën e dytë turke. Ai i çmontoi lojtarët si Michael Keane e Harry Maguire në ndeshjen Angli – Kosovë. Kur e mendon, të dy ata kushtojnë më shumë se 130 milionë funte. Shumë klube na kërkuan bileta për të ardhur për ta vëzhguar në stadium Muriqin. Nëse Kosova e vazhdon rrugëtimin drejt Euro 2020 dhe nëse Vedati luan mirë, vlera e tij do të rritet”, përfundoi Comolli.