Munishi komenton situatën në FFK: Ndaj meje janë hakmarrë, nuk do të doja që asnjë trajner…

Vazhdon të diskutohet situata e re e krijuar në Federatën e Futbollit të Kosovës, pas iniciativës për rrëzimin e kryetarit Agim Ademi.

Trajneri Ismet Munishi tha në “Dueli Sportiv” se në Kosovë punohet me hakmarrje, përcjellë Gazeta Olle.

“Jam i limituar në mendimin personal sepse jam trajner i një klubi, politika e të cilit është cështje e presidentit dhe delegatëve”, deklaroi Munishi.

“Në Kosovë punohet me hakmarre. Unë s’do të doja të kalojë asnjë trajner situatat që i kam kaluar unë, për shkak të hakmarrjes që është bërë ndaj meje e ku gjithmonë kam qenë në kërkim të lojës korrekte”.

“Për situatën e krijuar mund të them që të dy palët kanë faj, jo vetëm njëra”, shtoi trajneri i Ballkanit.

Trajneri Bylbyl Sokoli ka theksuar që ndjen keqardhje që asnjëra palë nuk garon me programe.

“Kjo situatë nuk i konvenon futbollit tonë. I kam lexuar në portale reagimet e FFK-së, Arianitit dhe UEFA-s. Kjo situatë i konvenon Maqedonisë dhe Serbisë”, deklaroi Sokoli.

“Kuvendi e ka zgjedhur Agim Ademin dhe vetëm kuvendi ka të drejtë të marr vendim. Organi më i lartë ka vendosur ashtu. Nëse kanë gabuar, është diçka tjetër. Por, kuvendi mund ta përmirësojë nëse ka qene gabim duke u thirrur sërish me 50 e më shumë vota”, theksoi Sokoli.

“Ajo që më ka zhgënjyer është që asnjë palë nuk flet me programe për zhvillimin e futbollit tonë”.

“Jam i sigurt që FFK mundet brenda një viti të rregullojë infrastrukturën. Shumë shpesh në Kosovë personat e gabuar i marrin pozitat”.

“Ajo që më ka zhgënjyer, është që Arianiti thotë se i ka 41 vota, por nuk tregon nënshkrimet e cilave klube i ka”.

“Këto duhet të jenë publike, e jo private. Unë jam që të votohet programi, jo konkurrenti”, shtoi Sokoli. /Gazeta Olle/