Munishi i kundërpërgjigjet Hajvalisë

Klubi i Hajvalisë ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp, pas deklaratave të Ismet Munishit, i cili tha se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e ka porositur largimin e tij.

“Deklaratat e Munishit i cili tha se Fadil Vokrri e ka kërcënuar Hajvalinë se nëse Munishi do të jetë trajner atëherë ne nuk do të mund të shpallemi kampion, janë plotësisht të pa vërteta. Ky trajner po ashtu ka thënë që nëse nuk shpallet kampion do t’i kthejë të gjitha mjetet e marra nga klubi, ndërsa ne si klub i kemi kërkuar ato të holla nga Munishi që të kthehen ashtu sipas marrëveshjes dhe t’i dorëzohen ‘SOS Fshatit të Fëmijëve’”, thuhet ndër tjera në njoftimin e Hajvalisë.

Munishi: Hajvalia e zgjodhi rrugën e servilitetit

Trajneri më i suksesshëm në Kosovë për vitin 2014, Ismet Munishi, i është kundërpërgjigjur në këtë mënyrë, klubit të Hajvalisë. “Deklaratat e tyre vetëm sa po i konfirmojnë fjalët e mija se janë bërë klub servil dhe avokatë i FFK-së. Hajvalia i ka pasur dy rrugë, të bëhen klub serioz apo të bëhen klub servil. Ata e kanë zgjedhur rrugën e dytë. Prapë se prapë ju dëshiroj suksese. Sa i përket pagesave dhe gjërave të tjera, kanë qenë në rregull”, ka thënë Munishi për Gazetaolle.com.

‘Timonieri’ nga Prishtina ka pak fjalë edhe për parat e kontratës. “Ata po i përdorin disa gjëra që nuk janë korrekte. Të gjithë e dinë se çfarë kontributi kam dhënë në këtë klub. Nuk dua t’i komentojë ato gjëra pasi që janë të ulëta”, përfundoi Ismet Munishi.