Munishi: Gjithmonë është vështirë ndaj ekipeve që janë poshtë në tabelë

Hajvalia e Ismet Munishit, nuk po ka të ndalur. Skuadra nga paralagjia e Prishtinës, në tre ndeshjet e fundit ka arritur po aq fitore.

‘Timonieri’ i mirënjohur pret që skuadra e tij të arrijë fitore edhe në Gjilan. Munishi ndeshjen ndaj Dritës e vlerëson si të vështirë. “Gjithmonë kur luan me këto ekipe që janë poshtë në tabelë, përballet janë të vështira. Terenin si dhe vendas dhe tifozët ‘Intelektualët’, janë përparësitë e vetme të Dritës. Të gjitha përparësitë janë në anën tonë. Shkojmë për gjah të plotë dhe besoj shumë fuqishëm në ekipin tim”, ka thënë Ismet Munishi për Gazetaolle.com.

I pyetur për mungesat, Munishi deklaroi: “Shkëlqim Pacolli dhe Fuat Karabegu, kanë pasur ngacmime të vogla, ndoshta nuk do të rrezikojmë për t’i inkuadruar. Por, nuk është se të jetë problem pasi kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve”.

Ndryshe, Hajvalia ndodhet e pesta me 12 pikë kurse Drita e nënta me nëntë sosh.