Munishi e dënon ashpër sulmin: Bisedova me Profën, ai është mirë

Ismet Munishi ka reaguar pas sulmit që iu bë kolegut të tij, Bylbyl Sokolit, i cili u sulmua fizikisht nga tre persona në hyrje të banesës vetëm pak minuta pas humbjes së Llapit nga Prishtina.

Prishtina e mposhti Llapin me rezultat 2-1 në stadiumin Fadil Vokrri, por menjëherë pas ndeshjes është sulmuar fizikisht trajneri i Llapit, Bylbyl Sokoli.

‘Profa’ është sulmuar nga tre persona të panjohur deri më tani dhe ky rast është konfirmuar edhe nga policia.

“Sot rreth orës 20:30 e kemi pranuar informatën se në rrugën Hajdar Dushi në Prishtinë një person është sulmuar fizikisht nga disa persona të dyshuar. Personi i sulmuar B.S. është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po merret me rastin” ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

bylbyl sokoli

Bylbyl Sokoli më pas ka reaguar duke thënë se nuk ka pësuar lëndim serioze, ndërsa në përkrahje të tij ka dalë edhe trajneri dhe analisti i njohur, Ismet Munishi.

Ismet Munishi në një prononcim të shkurtër për Metron ka thënë se sulmi ndaj Sokolit duhet të dënohet nga komuniteti i futbollit.

“E përkrahi kolegun, ky gjest duhet të dënohet ashpër nga komuniteti i futbollit. Më vjen shumë keq për ‘Profën’,” ka thënë Munishi.

Munishi e ka kontaktuar në telefon trajnerin e Llapit dhe ka bërë të ditur që gjendja e tij është e mirë dhe nuk ka ndonjë lëndim serioz.

ismet munishi