Mungon pas dy vitesh, ja fundi i një ecurie të pabesueshme

Shi apo borë, në Superligë apo në Kupë, s’ka rëndësi. Që plot dy vite, mbrojtësi Ismet Cakaj ka qenë startues në çdo ndeshje të mundshme të Drenicës, duke mos munguar asnjëherë për shkak të ndonjë kartoni të verdhë apo ndonjë lëndimi.

Ashtu sikur gjithçka e ka një fund, kjo fundjavë shënon edhe fundin e kësaj ecurie të pabesueshme të Cakajt, i cili s’mund ta ndihmojë Drenicën pikërisht në qytetin e tij në Vushtrri, kundër Kosovës në “Ferki Aliu”.

“Ka dy vite që luaj startues në çdo ndeshje të Drenicës, duke mos munguar asnjëherë për asnjë arsye. Tani e kam mbushur numrin e kartonëve të verdhë dhe ky do të jetë një pushim i detyrueshëm. Mirëpo, do të jem në stadium për ta ndihmuar skuadrën time”, deklaroi Cakaj për Gazetaolle.com.

Mbrojtësit vushtrrias i skadon kontrata në fund të këtij stinori dhe qëndrimi në “Bajram Aliu” është në pikëpyetje të madhe.