Mrekullia e një autsajdereje: Kishte koeficientin më të vogël nga gjitha ekipet, por bëri tre fitore ndaj kundërshtareve shumë më të forta

Në mes të vazos së katërt ishte KFF Mitrovica në shortin për raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve për futbolliste, për edicionin 2019/2020.

Kjo nënkuptoi se Mitrovica ishte autsajdere e grupit, që përbëhej nga katër skuadra, nga një prej katër vazove sa ishin gjithsej në short. Olimpia Cluji u vendos në grupin e dytë nga vazoja e parë, NSA Sofia nga vazoja e dytë e Breznica Plevlja nga vazoja e tretë, shkruan sot Koha Ditore.

Po kështu, me radhë skuadrat u dorëzuan para Mitrovicës së vazos së katërt. Cluji u mund 2:1, NSA Sofia 2:0 e Breznica 1:0. Dhe kështu Mitrovica shkaktoi befasinë e madhe.

Mitrovica është e vetmja skuadër e vazos së katërt e raundit kualifikues që është kualifikuar në mesin e 32 skuadrave më të mira evropiane, përkatësisht në 1/16 e finales së Championsit të futbollisteve.

Në vazon e katërt ishin dhjetë skuadra. Prej vazos së tretë janë kualifikuar dy skuadra, prej të dytës po ashtu dy skuadra e prej vazos së parë, ku janë natyrisht skuadrat më të forta të raundit, janë kualifikuar pesë skuadra.

Se suksesi i Mitrovicës është shumë i madh e dëshmon edhe koeficienti i saj në ranglistën e UEFA-s për klube të femrave. 0.330 është koeficienti i Mitrovicës me të cilin ka nisur garën e këtij edicioni. Braga portugeze ka koeficientin e dytë më të ulët prej 3.630, ndërsa Anderlechti belg prej 5.465.