Morina: Strategët që po merren me Besën, nuk po i shohin gjërat reale

Besa e Pejës nuk arriti më shumë se një pikë, duke barazuar në fushën e saj me Vushtrrinë (0:0).

Trajneri Arbnor Morina e komenton kështu ndeshjen në fjalë: “Është bërë e tepërt të flasim për çështjen se po krijojmë shumë raste dhe po bëjmë lojë të mirë, e po realizojmë pak. Sot ishte një lojë ku 90-minuta luajtëm në portën e kundërshtarit, krijuam shumë raste por nuk realizuam. Nuk mund të fajësohet as mesfusha as sulmi, duhet të jemi më konkret”.

Tutje, Morina foli edhe për çështjen titull. “Shumë strateg të futbollit as vitin e kaluar nuk na kanë përmendur për titull, mirëpo në fund u desh të na përmendim sepse mbetëm vetëm ne në garë dhe Feronikeli. Këta strateg që po merrem me lojën e Besës, nuk po i shohin gjërat reale. Ne jo pse nuk duam të ‘luftojmë’ për titull, përkundrazi, është sportive të ‘luftojmë’ deri në fund. Le ta dinë strategët se ne kemi edhe probleme me lëndime dhe kartonë, por të cilat janë pjesë përbërëse e futbollit”, përfundoi Arbnor Morina për ‘Supersport Kosovën’.