Modriç thumbon ekspertët dhe gazetarët anglezë

Kroacia arriti të bëjë historinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, duke qenë se mundi Anglinë pas kohës shtesë dhe u kualifikua për në finalen e madhe të Moskës, aty ku përballë do të ketë Francën e Didier Deshamp.

Ndeshja e mbrëmshme, ishte e treta radhazi e Kroacisë që fiton pas kohës shtesë dhe lodhja te skuadra kroate është e madhe. Këtë lodhje, mediat britanike e kanë marrë në favor të tyre dhe kanë nënvlerësuar Kroacinë, të paktën kështu mendon Modriç. Ai shprehet se nënvlerësimi për to, ka qenë shumë pozitiv për skuadrën duke qenë se i ka frymëzuar më shumë.

“Ekspertët dhe gazetarët anglezë treguan një mungesë respekti për ne dhe na nënvlerësuan shumë. Ata thonin se jemi të lodhur dhe se kualifikimi do të jetë i lehtë për Anglinë por ne treguam të kundërtën. Në fakt, dua t’i falënderoj që na nënvlerësuan dhe shpresoj që të kenë mësuar për herët e tjera që kurrë nuk duhet pasur mungesë respekti për kundërshtarin.

E treguam edhe njëherë se nuk ishim të lodhur. Ndeshjen duhet ta kishim “vrarë” para kohës shtesë por megjithatë arritëm në finale dhe kjo është diçka historike për Kroacinë”, u shpreh Modriç.