Modernizimi i stadiumit Fadil Vokrri

Stadiumi i Prishtinës Fadil Vokrri pritet të modernizohet në të ardhmen e afërt.

Stadiumi, ku Përfaqësuesja e Kosovës, shënoi suksese historike, së shpejti pritet të pajiset me sistemin e teknologjisë, VAR.

Derisa të gjitha stadiumet evropiane kanë një standard të tillë, padyshim, edhe stadiumi Fadil Vokrri ka nevojë për një sistem të tillë.

Lajmin në fjalë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët tashmë janë në fazën fillestare.

Arianit Ahmeti, zëvendës-sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës, në një prononcim për Gazetën Olle, ka bërë të ditur se kjo ide ka filluar të implementohet.

‘’Duke iu përshtatur rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s, ne si Federatë do t’i marrim masat qysh më herët për t’u përgatitur për sistemet e VAR-t’’.

‘’Kjo për shkak që në të ardhmen të mos kemi pengesa në rast të kualifikimet të skuadrave kosovare apo edhe Përfaqësueses’’, deklaroi Ahmeti.

Tutje, ai ka treguar se ka filluar montimi i paisjeve, ani pse ende është vetëm faza fillestare.

‘’Kemi filluar me përgatitjen dhe montimin në stadiumin e kategorisë së katërt, ‘Fadil Vokrri’, por ende jemi në fazën fillestare’’.

‘’Gjithashtu, jemi në kontakt të vazhdueshëm me UEFA-n dhe së shpejti një delegacion nga Federata do të udhëtojë drejt selisë së tyre për t’u informuar më tutje për këtë proces’’, përfundoi Ahmeti.

Pasi që kjo punë është ende në fazën fillestare, ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja përfundimtare e implementimit të këtij sistemi, që gjen zbarim pothuajse në të gjitha stadiumit e klubeve evropiane.

Sipas mediumit britanik, Daily Mail, kampionatit anglez, Premier League i janë kërkuar afër 300 mijë funte për ta testuar dhe instaluar sistemin e VAR-it.

Kjo nënkupton se 20 klubet angleze i detyrohen FIFA-s që t’i paguajnë nga 15 mijë funte.

Sistemi i VAR-it është i domosdoshëm në stadiumin, ‘’Fadil Vokrri’’, për shkak të zhvillimit të ndeshjeve eliminatore nga marsi i këtij viti në kuadër të Kampionatit Evropian, ‘’EURO 2020’’.

Më pas, edhe klubet e Superligës, eliminatoret e Champions League dhe Europa League do t’i zhvillojnë në stadiumin e kryeqytetit, andaj sistemi në fjalë duhet të implementohet sa më shpejt.