Mjerim tek femrat

Tashmë Kosova mund të marrë pjesë në të gjitha garat e basketbollit ndërkombëtar, mirëpo cilësia e skuadrave tona është larg nivelit, i cili do të premtonte paraqitje dinjitoze. Situata edhe më keq qëndron në konkurrencën e femrave, ku përveç Penti Prishtinës, Penzës dhe deri diku Trepçës, skuadrat tjera janë duke mbijetuar me shumë vështirësi, shkruan sot Gazeta Zëri.

Në një situatë të tillë është e vështirë të paramendohet një sukses eventual. Trajneri i Prishtinës, Fidan Shatri, i cili katër herë radhazi e ka fituar titullin e kampionit, shpreson që gjërat të ndryshojnë sa më parë.

“Të jesh kampion katër herë me radhë është një motiv më tepër për punë, por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të pajtohemi me këtë situatë. Synimi ynë është që në vitin e ardhshëm të prekim edhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare, prandaj për diçka të tillë duhet shumë më tepër cilësi, por edhe kushte për punë“, ka theksuar Shatri, duke shtuar se klubi ndihmën kryesore e ka nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Nëse i krahasojmë shpenzimet e klubeve te femrat me ato të Superligës së meshkujve shohim se dallimi është jashtëzakonisht i madh. Vetëm me të hollat e shpenzuara për biletat e lojtarëve të huaj që kanë ardhur në prova në vendin tonë, skuadrat e femrave do të kishin një kampionat pa telashe në aspektin financiar.

Ndërkaq, legjenda e basketbollit femëror të Kosovës, Resmije Juniku, është shumë e zhgënjyer me gjendjen aktuale. “Me këtë situatë që e kemi, nuk guxojmë as ta mendojmë daljen në rrafshin ndërkombëtar. Basketbolli ynë në përgjithësi, por sidomos te femrat, është në gjendje të mjerë“, ka thënë për “Zërin” Juniku, duke mos i kursyer kritikat.

“Është punuar tepër pak dhe zyrtarët tanë më tepër kanë qenë të interesuar të dalin në TV. Po e shohim se gjithçka po improvizohet me lojtarë të huaj, të cilët po e marrin hapësirën e basketbollistëve vendorë. Edhe te femrat e vetmja mundësi për të bërë diçka do të ishte përforcime me lojtare të huaja, por diçka e tillë do të jetë shumë vështirë. Askush nuk po e sheh të arsyeshme t’i ndihmojë klubet tona, të cilat me një buxhet modest do të funksionin sa për të kryer kampionatin me dinjitet e të mos flasim nëse rriten shpenzimet për t’u përforcuar me lojtare nga vendet tjera”, ka theksuar Juniku.

Ajo është shprehur e zhgënjyer edhe me tretmanin që po u bëhet trajnerëve tanë, të cilët po mbesin nën hijen e të huajve pa marrë parasysh që angazhimi i tyre nuk ka dhënë ndonjë rezultat të dëshiruar.

Edhe në kampionatin e sivjetmë për titullin e kampionit në konkurrencën e femrave kandidatët kryesorë për titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës janë Prishtina dhe Penza. /Zëri/