Mirel Josa flet për borxhin e Prishtinës, i kundërpërgjigjet edhe Armend Dallkut

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mirel Josa ka folur rreth largimit nga Prishtina. 

Josa thotë se Prishtina i ka borxh dhe nëse nuk arrijnë ndonjë marrëveshje mund t’i drejtohet edhe FIFA-s, derisa nuk ka ngurruar të flas për Bylbyl Sokolin dhe Armend Dallkun.

Për këtë të fundit, ai thotë se një trajner duhet ta shikojë punën e tij e jo të merret me paraardhësin.

Të kalojmë pak te Prishtina, si erdhi ndarja?

Erdhi pas gati dy vitesh. Ata nuk “duruan” dhe as unë nuk “durova”. Ndaj, erdhi fundi i marrëdhënieve. Megjithatë, që ta mbyllim zyrtarisht, duhet të flasim edhe këto ditë. Pasi unë kam edhe një vit kontratë, ndaj duhet të diskutojmë për pjesën e detyrimeve.

Nëse nuk zgjidhet, do t’i drejtoheni FIFA-s…?

Jo, nuk besoj. E thashë që do flasim këto ditë që të dakordohemi. Por nëse nuk shkohet drejt asaj që unë pres, do ta mendoj edhe atë.

Pas teje Prishtina kishte trajner Bylbyl Sokolin dhe tani Armend Dallkun?

Që të sqarohemi, jam larguar prej gati 1 muaj e një javë më parë nga Prishtina. Dallku në atë kohë ishte te moshat, ndërsa ekipi për tri ndeshje drejtohej nga një trajner realisht i madh në Kosovë. Unë nuk e di se çfarë ka thënë Armendi, por mund të të them që një trajner kur merr një ekip, nuk ka pse të kapet me atë që ka bërë paraardhësi i tij. Kur angazhohesh në një detyrë, mban përgjegjësi për punën tënde.