Mirë se erdhët vëllezër nga Kosova (FOTO+VIDEO)

Drejtuesit e Sivassporit i kanë ofruar pritje madhështore dhe mjaft të ngrohtë Prishtinës. Presidenti i kompanisë “Kaptanlar Group”, Hysein Kaptan, ka thënë se është kënaqësi që klubi prishtinas e viziton atë turk në Sivas.

Sipas tij, marrëdhëniet në mes të të dyja klubeve do të forcohen në të ardhmen, ndërsa beson se ekipet do të shfaqin lojë të mirë nesër, në miqësoren ndërkombëtare që do ta zhvillojnë.

“Është kënaqësi t’ju kemi këtu, një klub dhe vend mik i Turqisë. Nesër le të fitojë vëllazërimi”, ka thënë biznesmeni Kaptan.

Ndërkohë, i pranishëm në konferencë ishte edhe përfaqësuesi i këtij Grupi, Mehmet Yarar, i cili përmendi disa prej bashkëpunimeve të cilat i ka kjo kompani me klubet kosovare, të cilat i ndihmon financiarisht.

Edhe ai e shprehu kënaqësinë që ka për mysafirë prishtinasit, të cilët i kishin bërë mikpritje po aq të ngrohtë këtij klubi një vit më parë.

Edhe drejtori gjeneral i Sivassporit, Xhafer Kapllan, ndihej i lumtur që FC Prishtina e viziton këtë klub, duke i uruar mirëseardhje.

Ai theksoi se Sivasspori do ta shikojë mundësinë që ta transferojë ndonjë lojtar të FC Prishtina, nëse tregohet nesër në ndeshjen në mes këtyre dy ekipeve. (Zëri).