Miqësorja ndaj Feronikelit, “udhëtim historik” sipas Milanit

Zbritja e Milanit në Kosovë për një ndeshje miqësore me kampionin e Kosovës Feronikelin ka bërë bujë të madhe në të gjitha trojet shqiptare, madje jo vetëm pasi ishin mediat ndërkombëtare që i dhanë jehonë bukur të madhe kësaj sfide.

Megjithatë, askush nuk e kishte pritur që fundi i saj do të kthehet në zhgënjim total, shkruan Zëri.info.

Dita e shtunë në kryeqytet u përshkrua si një ditë feste.

Në Prishtinë po vinte një nga ekipet më të trofeshme, shtatë herë kampioni i Evropës, Milani.

Tifozët në mënyrë të organizuar dolën dhe i pritën, madje një numër i madh i tyre për orë të tëra qëndruan para hotelit, ku ishte vendosur skuadra e Milanit, vetëm e vetëm që t’i shohin nga afër yjet kuqezi.

Mirëpo mbrëmja e së shtunës dëshmoi që jogjithçka ishte në rregull me atë ndeshje. Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte pothuajse i zbrazët, duke bërë që takimi Feronikeli – Milan të duket krejt i shëmtuar, ani pse në fushë luanin yje të mëdhenj si Suso, Castillejo, Romanioli, Bonaventura, Piatek, Donnarumma e shumë të tjerë, që deri atë mbrëmje vetëm në televizion kishim mundësi t’i shohim.

Ashtu siç Feronikeli e vlerëson këtë ndeshje historike, të njëjtën është duke e thënë edhe klubi i Milanit.

Përmes një video në rrjetin social “Twitter”, Milani ka publikuar momentet më interesante të kësaj aventure.

“Le ta shijojmë aventurën historike të ‘Rossonerëve’ në Prishtinë”, shkruan Milani në rrjetet sociale.