Ministri Kujtim Gashi viziton për herë të tretë palestrën e Rahovecit

Palestra e Rahovecit pritet të jetë e gatshme për Final 8″ të Kupës së Kosovës në basketboll,e cila do të mbahet javën tjetër

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi vizituan palestrën sportive në Rahovec për të parë nga afër punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar, përcjell GazetaOlle.

“Ndodhem për herë të tretë në Rahovec dhe pikërisht në këtë palestër dhe jemi në fazën përfundimtare të kryerjes së punimeve ashtu që kjo palestër të jetë e gatshme për të zhvilluar gara”, u shpreh ministri Gashi.

“Natyrisht, se puna më e madhe është kryer në këta tre-katër muajt e fundit prej kurse jemi dakorduar me kryetarin Latifi që ta kemi të gatshme palestrën për zhvillimin e Kupës së Kosovës në basketboll. Është një moment jashtëzakonisht i mirë që përmes këtyre garave që ta testojmë palestrën e Rahovecit”, theksoi tutje ministri.

Ministri shpjegoi tutje se palestra do të ketë një kapacitet me 2200 ulëse statike me mundësi të ulëseve teleskopike nëse do të jetë e nevojshme.

“E kemi edhe një fazë të fundit për të përfunduar në tërësi projekti dhe kjo palestër do t’u dorëzohet juve si kryetar i Komunës dhe përmes juve sportistëve dhe të gjithë qytetarëve të Rahovecit”, tha ministri duke pohuar se është palestra e dytë këtë vit që do të inaugurohet në Kosovë.

“Do të punojmë me një përkushtim të madh që të finalizojmë projektet e mbetura me vite”, përfundoi ai. /GazetaOlle/