Ministri Gashi priti kampionët e Evropës U18 në basketboll, Divizioni C

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Përfaqësuesen e Kosovës U18 në basketboll pas suksesit të arritur në FIBA U18 të Kampionatit Evropian, Divicioni C, që u mbajt në Prishtinë, prej 22 deri më 29 korrik, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gashi i ka uruar basketbollistët dhe drejtuesit e klubit për suksesin e arritur. Ai vlerësoi se me angazhim dhe vullnet mund të arrihet deri te suksesi siç edhe kanë treguar basketbollistët në rend të parë, por edhe stafi mbështetës i tyre, trajnerët e të gjithë personat tjerë të angazhuar.

Gjithashtu, ministri i ka përgëzuar drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës edhe për organizimin e kampionatit në fjalë.

Gashi ka kërkuar nga basketbollistët dhe përfaqësuesit e klubit që në përfaqësimet ndërkombëtare të japin maksimumin dhe të prezantojnë Kosovën sa më me dinjitet. Ai u premtoi mbështetjen e plotë të MKRS-së edhe në të ardhmen.